Të paktën 18 persona janë vrarë dhe disa janë plagosur në dy sulme me armë në Afrikën e Jugut të shtunën në mbrëmje dhe në orët e para të së dielës, ka konfirmuar policia lokale.
Një incident ndodhi në një tavernë lokale në qytezën Soweto të Johanesburgut pak pas mesnate.
Sipas zyrës së Komisionerit të Policisë Gauteng, “një grup burrash të armatosur me pushkë dhe pistoleta 9 mm hynë në tavernë dhe filluan të qëllonin rastësisht drejt klientëve që ishin ulur brenda.”
Si rezultat, 12 persona u deklaruan të vdekur në vendngjarje dhe dy vdiqën më vonë.
Nëntë persona janë plagosur.
“Policia hapi hetime për 14 raste vrasjesh dhe nëntë vrasje të mbetura në tentativë”, thanë forcat e rendit, duke shtuar se një “ekip detektivësh” po kërkon tani personat e armatosur të panjohur.
Sipas vlerësimeve të policisë, viktimat ishin të moshës nga 19 deri në 35 vjeç.
Raportet e mediave sugjerojnë se sulmuesit u larguan me një minibus të bardhë Toyota Quantum.
Vetëm pak orë para tragjedisë në Soweto, në orën 20:30 me orën lokale, dy persona të armatosur hapën zjarr në një tavernë në Pietermaritzburg, kryeqyteti i provincës KwaZulu-Natal.
Dy persona u deklaruan të vdekur në vendngjarje dhe dy të tjerët vdiqën në spital. Tetë persona të tjerë janë ende në spital pasi kanë pësuar lëndime. Të dyshuarit u larguan nga vendi i ngjarjes pas incidentit”, tha në një deklaratë zëdhënësi i policisë nënkoloneli Nqobile Gwala, duke shtuar se hetimi është në vazhdim.
Mosha e viktimave në këtë rast varionte nga 30 deri në 45 vjeç.
Tragjeditë erdhën dy javë pasi më shumë se 20 të rinj u vranë në një helmim masiv të dyshuar në një klub nate të njohur në qytetin bregdetar të Londrës Lindore. Shkaku i asaj tragjedie është ende i paqartë. Viktima më e re në atë incident ishte një vajzë 13-vjeçare.