Autoritetet franceze po përgatiten për një pezullim të plotë të furnizimeve me gaz nga Rusia, sipas ministrit të Financave të vendit Bruno Le Maire, i cili e sheh një mbyllje të tillë të plotë si ‘skenarin më të mundshëm’.
“Unë mendoj se një ndërprerje e plotë e furnizimeve me gaz rus është një mundësi e vërtetë dhe ne duhet të përgatitemi për këtë skenar,” tha Le Maire, duke folur në margjinat e një konference në Francën jugore, siç citohet nga Reuters.
“Do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të injorohej ky skenar,” tha ai.
Sipas ministrit, linja e parë e mbrojtjes është që familjet dhe bizneset të pakësojnë përdorimin e energjisë, më pas ndërtimi i një infrastrukture të re si një impiant lundrues që do të jetë në gjendje të rigazifikojë dërgesat e gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga jashtë.
Parisi po kërkon gjithashtu kompani për kompani për të parë se cila mund të detyrohet të zvogëlojë kapacitetet e prodhimit për të kursyer energji nëse është e nevojshme, tha Le Maire.
Qeveria franceze ka përgatitur plane emergjence pavarësisht nga fakti se kombi është më pak i varur nga furnizimet me gaz rus sesa vendet e tjera evropiane. Rreth 17% e furnizimit total të Francës thuhet se vjen nga Rusia.