Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit në Sri Lanka notojnë në pishinën e presidentit, futen në kuzhinë e gatuajnë ç’gjejnë (Videot)


Një turmë protestuesish që hynë me forcë në pallatin presidencial të Sri Lankës të shtunën bastisën kuzhinën e kompleksit dhe notuan në pishinën private të Presidentit Gotabaya Rajapaksa. Rajapaksa dhe kryeministri Ranil Wickremesinghe kanë njoftuar të dy dorëheqjen e tyre mes trazirave masive.

Rreth 100,000 njerëz besohet se kanë rrethuar rezidencën e presidentit në Colombo të shtunën, dhe burimet vendase u thanë gazetarëve se Rajapaksa ishte ‘shoqëruar në një vend të sigurt’ në një vend të panjohur nga ushtarët. Kur forcat e sigurisë nuk arritën të frenonin turmën jashtë kompleksit, një mori demonstruesish u futën me forcë në rezidencën e presidentit.

 

Videot e shpërndarë në mediat sociale tregojnë dhjetëra protestues duke bastisur dollapët në kuzhinën e Rajapaksa-s dhe duke gatuar çfarëdo ushqimi që gjenin.

Të tjerë u futën te dhoma e presidentit, duke bërë foto në një shtrat dhe duke gërmuar nëpër sirtarë. Jashtë, një grup i madh protestuesish hoqën rrobat dhe u zhytën në pishinën e Rajapaksës.

Sri Lanka ka qenë në një gjendje trazirash prej disa muajsh, me ushqimet dhe karburantet që mungojnë e mallrat me çmime të larta. Vendi dështoi në borxhin e tij të jashtëm në maj për herë të parë në historinë e tij. Racionimi i karburantit u prezantua në fillim të këtij muaji dhe policia dhe trupat e armatosura morën në mbrojtje pikat e karburantit.

 

Kriza i është atribuar pandemisë Covid-19, e cila e privoi kombin ishull nga të ardhurat jetësore nga turizmi. Megjithatë, qeveria e Rajapaksa rriti shpenzimet, uli taksat dhe printoi para për të paguar obligacionet e huaja, duke e çuar inflacionin në rritje.

 

Rajapaksa njoftoi më vonë të shtunën se do të largohet nga detyra. Kryeministri Wickremesinghe njoftoi dorëheqjen e tij disa orë më parë, por njoftimi nuk i pengoi protestuesit t’i vinin zjarrin rezidencës së tij, pasi policia e trazirave u përpoq pa sukses të pengonte turmën me gaz lotsjellës.

Disa dhjetëra njerëz u raportuan të plagosur gjatë protestave të së shtunës në Colombo.