Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi një raund të ri të ndihmave humanitare për Ukrainën, në vlerë prej afro 368 milionë dollarësh, në krye të mbështetjes ushtarake të paralajmëruar më parë.
“Sot, mund të njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë gati 368 milionë dollarë mbështetje shtesë”, tha Blinken më 9 korrik pas takimit të tij me ministrat e Grupit 20 (G20) në Indonezi.
Ai tha se ndihma do të përfshijë “ushqim, ujë të pijshëm të sigurt, ndihmë në para, kujdes shëndetësor emergjent, strehim, si dhe mbështetje për koordinimin midis organizatave humanitare që po bëjnë kaq shumë nga kjo punë kritike në terren”.
“Më shumë se 11 milionë njerëz në Ukrainë, 11 milionë njerëz, kanë ikur nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i agresionit. Kjo është më shumë se një e katërta e të gjithë popullsisë së Ukrainës. Nevojat janë të jashtëzakonshme dhe ato do të rriten me vazhdimin e luftës”, tha ai.
Që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 1.28 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën, tha USAID.