Në fund mes të vitit 2021 borxhet e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ishin mbi 20 miliardë lekë. Këtë fakt e raportoi edhe qeveria në fund të vitit të shkuar teksa mbronte projektbuxhetin e asaj kohe.
Edhe pse ka një plan për shlyerjen e këtyre detyrimeve që angazhoi disa institucione së bashku në një dokument sërish duket se frika për rritjen e stokut ekziston.
Enti Rregullator i Ujit publikoi këto ditë raportin vjetor të performancës së sektorit duke nënvizuar pikërisht nevojën për vigjilencë të shtuar në sektorin e ujit në drejtim të borxheve të energjisë për shkak të krizës së çmimeve.
Në disa pika të përmbledhura që pasqyrojnë gjendjen e përgjithshme të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve dhe rekomandime për të Enti ndalet në dy prej tyre tek energjia.
“Rritja e kostove të energjisë elektrike edhe për vitin 2021 me 8%, kërkon një vëmendje të shtuar nga shoqëritë UK, kryesisht atyre me skema të furnizimit me ujë me ngritje mekanike. Nevoja për marrjen e masave për menaxhimin e kostove të energjisë merr rëndësi të veçantë në kushtet e krizës globale të energjisë e cila pritet të shoqërohet me rritjen e çmimit të energjisë. Këto masa do të konsistojnë kryesisht në rritjen e eficiencës së energjisë elektrike bazuar në raporte studimi me këtë subjekt” thuhet në dokument.
Po kështu i njëjti nënvizon se veçanërisht shoqëritë problematike ndaj pagesës së faturës së energjisë elektrike, të merret në konsideratë firmosja e një kontrate performance bazuar në objektiva që synojnë përmirësimin e gjendjes financiare të shoqërive.
Në kontratën e performancës fokusi kryesor duhet të jetë në TKP, sidomos të UPA, Normës Korente të Arkëtimit dhe Eficiencës së Stafit.
Enti thekson gjithashtu se ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve duhet të jenë më të përgjegjshme në raportimin e të dhënave të tyre që në shumë raste kanë pasaktësi.
“Problemet e mungesave të saktësisë dhe besueshmërisë së të dhënave të raportuara pranë ERRU-së për mjaft shoqëri UK, kërkon rritjen e përgjegjshmërisë së stafeve drejtuese të shoqërive UK në respektim të procedurave për saktësinë e të dhënave të përcaktuara në metodologjinë e re të vendosjes së tarifave të shërbimeve UK” vlerëson raporti.
Në lidhje me problemin e garantimit të sigurisë së veprave të furnizimit me ujë si objekte të rëndësisë së veçantë Enti nënvizon se duhet përshtatur legjislacioni në fuqi për të mundësuar alternativën e garantimit të sigurisë me mjete logjistike, si kamera të gërshetuara edhe me masa të tjera teknike, në mënyrë që të ulen kostot e pajustifikuara të stafit, apo të kontraktimit të palëve të treta për këto shërbime./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor