Furnizimi me gaz rus në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream 1 në Detin Baltik është ndërprerë për 10 ditë.
Operatorët e tubacionit të mbështetur nga Rusia thonë se masa është ndërmarrë për shkak të punës vjetore të mirëmbajtjes.
Por ministrat gjermanë besojnë se mbyllja është e motivuar politikisht për të ushtruar presion mbi Berlinin.
Muajin e kaluar, ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck tha se presidenti rus Vladimir Putin po përdor gazin “si armë” në përgjigje të sanksioneve të BE-së.
Në mesin e qershorit, firma shtetërore ruse e gazit Gazprom shkurtoi furnizimin e gazit përmes Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit të tubacionit. Ai fajësoi për këtë një vonesë në kthimin e pajisjeve që po riparoheshin nga Siemens Energy e Gjermanisë.
Qeveria kanadeze thotë se tani do të kthejë një turbinë të riparuar Siemens në Gjermani për tubacionin. Ky veprim zemëroi qeverinë ukrainase, e cila akuzoi Kanadanë për përshtatjen e sanksioneve të vendosura ndaj Moskës “për tekat e Rusisë”.
Kanadaja thotë se po i jep Siemens një “leje të kufizuar dhe të revokueshme” për të dërguar turbinat e riparuara në Gjermani, pavarësisht sanksioneve.
BBC shkruan se në këtë situatë, qeveria gjermane është e shqetësuar se furnizimet me gaz mund të reduktohen ose të ndërpriten përgjithmonë.
Mbyllja e tubacionit po prek gjithashtu Italinë, ku grupi energjetik Eni tha se do të merrte rreth një të tretën më pak gaz nga Gazprom i Rusisë të hënën krahasuar me vëllimet mesatare të furnizuara gjatë ditëve të fundit.
Rusia tashmë i ka shkurtuar furnizimet me gaz për Poloninë, Bullgarinë, Holandën, Danimarkën dhe Finlandën për shkak të refuzimit të tyre për të respektuar skemën e re të pagesës në rubla.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt, Gjermania ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus nga 55% në 35% dhe dëshiron të ndalojë plotësisht përdorimin e gazit nga Rusia. Por nëse furnizimet ruse ndërpriten papritur brenda natës, kjo mund ta çojë Gjermaninë në një recesion të madh, sepse industri të tëra mbështeten në gaz dhe shumica e shtëpive gjermane e përdorin atë për ngrohje.