Dy persona janë arrestuar në Vlorë. Një 23-vjeçar me iniciale J.S. banues në Tepelenë është prangosur pasi është kapur me një pistoletë pa leje.
Në pranga kanë rënë edhe dy persona të tjerë, përkatësisht 31-vjeçari E.S. dhe 30-vjeçari I.S. të dy banues në Tiranë.
Ata janë arrestuar për moskallëzim krimi pasi në mjetin që drejtohej nga E.S. u kap i riu me armë pa leje.
Njoftimi
“Operacioni, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë. Vihet në pranga një 23-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri, në një automjet.
Vihen në pranga edhe drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri tjetër, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Last night”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– J. S., 23 vjeç, banues në Tepelenë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
– E. S., 31 vjeç dhe I. S., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e policisë kanë ndaluar mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Pavarësia 3”, automjetin me drejtues shtetasin E. S. dhe me pasagjerë shtetasit I. S dhe J. S.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit J. S., shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak.
Drejtuesi i mjetit, shtetasi E. S. dhe pasagjeri tjetër, vëllai i tij, shtetasi I. S. kanë patur dijeni për armën, por nuk kallëzuar në Polici.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”