Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon PS-në: Kumbaro, Gjiknuri e Duro kthyen ambasadën shqiptare në Athinë në zyrë elektorale


PD ka denoncuar PS-në se ka kthyer ambasadën e Shqipërisë në Greqi në zyrë elektorale të saj.

Në një deklaratë nga selia blu, Sekretari për Emigracionin Indrit Hoxha tha se cenon rëndë e përdhos shtetin shqiptar si dhe shkel çdo ligj të shtetit e kod etik.

Ai ka përmendur me emra ministren Kumbaro, Sekretarin e PS-së Gjiknuri e deputetin Laert Duro si pjesëmarrës në takim.

“Ambasada e Shqipërisë në Athinë është kthyer në zyrë elektorale të PS-së. informacione të konfirmuara ardhur në PD bëjnë me dije për organizimin e një takimi të brendshëm partiak në mjediset e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Athinë. Duke shkelur çdo ligj të shtetit e kod të etikës zyrtarë të lartë të PS-së kanë kryesuar të shtunën një takim organizativ e elektoral brenda zyrave ku stema është e Republikës së Shqipërisë. Futja aty e flamujve dhe simboleve partiakë është mjerim dhe përdhosje e idesë së shtetit. Përvetësimi i simboleve kombëtare, hapësirave shtetërore dhe devijimi i vullnetit të taksapaguesve shqiptarë për qëllime partiake është një rekord i zi që nuk bën nder as një PS-je normale. PD dënon me forcë praninë në takim dhe implikimin e ministres Mirela Kumbaro, Sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe deputetit Laert Duro. U bën thirrje organeve përkatëse të hetojnë këtë shkelje flagrante.” – tha Hoxha.

Ai shtoi më tej se në takimin brenda ambasadës, atasheu ushtarak Roland Berxhani është caktuar koordinator për zgjedhjet e PS-së në Athinë, një tjetër shkelje e rëndë që sipas Hoxhës përdhos dinjitetin e ushtrisë së një vendi të NATO-s.

Hoxha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi që të denoncojnë çdo problem tyrin në vendin fqinj.

“PD dënon gjithashtu një shkelje të dytë, caktimin e atasheut ushtarak Roland Berxhani si koordinator për zgjedhjet e PS-së në Athinë. Përfshirja e një zyrtari, aq më tepër e një atasheu ushtarak me punë partiake cenon jo vetëm dinjitetin e forcave të armatosura të një vendi anëtar të NATO-s por ul besueshmërinë e ambasadës dhe shtetit shqiptar të bashkëadhetarët tanë atje. Kthimi i ambasadës në zyrën aneks të PS-së është një atentat tjetër që partia-shtet i bën imazhit të Shqipërisë. Ju bëj thirrje bashkëatdhetarëve tanë në Greqi që të na informojnë për çdo kundravajtje e problem të tyrin atje. PD do ju jetë në krah.”­ – mbylli deklaratën Hoxha.