Vendosni fjalën kyçe....

Polonia akuzon Gjermanin se po i bën presion për të zëvendësuar monedhën vendase me euron


Guvernatori i Bankës Qendrore të Polonisë, Adam Glapinski, tha se Gjermania po i bën presion vendit të tij që të adoptojë monedhën euro. Sipas Bloomberg, rregullatori u zotua ta parandalojë këtë për sa kohë që ai është në krye të politikës monetare.

Sipas medias në fjalë, Glapinski është kritikuar nga lideri i partisë opozitare të Polonisë, Donald Tusk për inflacionin më të lartë në një çerek shekulli.

Glapinski i hodhi poshtë sulmet, duke argumentuar se ato ndoshta ishin të motivuara nga njerëz që kërkonin të detyronin Poloninë të heqë zlotin për euron.

“Ka presion të madh nga një prej fqinjëve tanë për ta shtyrë Poloninë drejt euros dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një super-shteti evropian.” – tha Glapinski në një konferencë shtypi në Varshavë, cituar nga Bloomberg.

Polonia u bashkua me Bashkimin Evropian në 2004, por nuk e përdor euron si monedhën e saj. Megjithatë, sipas kushteve të Traktatit të Aderimit me BE-në, të gjitha shtetet e reja anëtare duhet të marrin pjesë në bashkimin ekonomik dhe monetar që nga data e anëtarësimit.

Kjo do të thotë se Polonia është e detyruar të zëvendësojë përfundimisht monedhën e saj, zloty, me euron.