Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i OKB-së, Teliti: Qeveria të ulë antenat e propagandës, masat që duhen marrë urgjentisht


Partia Demokratike ka reaguar pas konkluzioneve të OKB-së, e cila e renditi Shqipërinë në nivelin më të ulët për të ardhurat ditore.

Anëtari i Këshillit të Partisë Demokratike, Dorian Teliti, në një deklaratë nga selia blu, bëri thirrje që qeveria “të ulë antenat e propagandës” e të marrë masat duke ofruar paketa mbështetëse, subvencione dhe shkurtim taksash, sidomos mbi karburantin.

Teliti tha se pa një reagim dhe një paketë masash, shqiptarët do të varfërohen edhe më tej dhe Shqipëria do të vazhdojë të shpopullohet.

“Sipas një raporti të OKB-së, ata shqiptarë, që aktualisht jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, do të varfërohen më tej.

Vendi ynë, sipas të njëjtit Raport, bën pjesë në një grup me Kirgistanin, Moldavinë, Mongolinë dhe Taxhikistanin, të cilat do të varfërohen përgjatë këtij segmenti të ardhurash ditore.

Partia Demokratike i pret me shqetësim përfundimet e Raportit dhe kërkon marrjen e masave urgjente për të mbrojtur shtresat e ekspozuara.

Qeveria duhet të ulë antenat e propagandës, të pranojë faktet dhe, mjaft më me kokën drejt oligarkëve, por të kthehet nga populli.

Në linjë me sugjerimet e OKB Partia Demokratike vihet në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit të shqiptarëve.

Kërkojmë në mënyrë urgjente:

  • Një paketë mbështetëse direkte në llogaritë e familjeve në nevojë, pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta mujore.
  • Subvencione të drejtpërdrejta për sektorët në rrezik të ekonomisë, për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe vendet e punës.
  • Shkurtimin e taksave të rritura ndër vite në kurriz të konsumatorit dhe bizneseve shqiptare, ku e para që të shkurtohet të jetë taksa e rritur me 24 lekë/litër mbi karburantin.

Pa një reagim dhe një paketë masash, shqiptarët do të varfërohen edhe më tej dhe Shqipëria do të vazhdojë të shpopullohet.”– tha Teliti.