BE-ja duhet të përgatitet për “valët e reja të migrimit” në mes të krizës së sigurisë ushqimore të nxitur nga konflikti në Ukrainë.
Të paktën kështu ka paralajmëruar të hënën Aija Kalnaja, drejtoresha e përkohshme e sapoemëruar e Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare, e njohur edhe si Frontex.
Duke folur me gazetarët në Pragë, Kalnaja vuri në dukje se BE-ja është “e përgatitur mirë për refugjatët që vijnë nga Ukraina”.
“Në të njëjtën kohë, ne duhet të përgatitemi edhe për refugjatët që vijnë nga zona të tjera për shkak të sigurisë ushqimore. Ju ndoshta e dini se transporti i grurit nga Ukraina është i penguar dhe kjo do të krijojë valë migrimi.”– tha ajo sipas RT.
Muajin e kaluar, gazeta spanjolle El Pais citoi një raport të brendshëm të BE-së prej 27 faqesh mbi pasojat e mundshme të konfliktit në Ukrainë. Ai përfshinte një paralajmërim për “një zi buke katastrofike” me të cilën do përballej Afrika e Veriut.
Uria mund të shkaktojë “valë të reja protestash sociale, zhvendosje të brendshme dhe migrim në rajonet fqinje dhe ndoshta drejt BE-së”, thuhet në raport. Nëse ky skenar realizohet, Spanja dhe Italia do të jenë në ballë të eksodit, sipas gazetës.
Kievi dhe vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë për bllokimin e eksporteve të ushqimit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, që dyshohet se ka kontribuar në rritjen e çmimeve globale të ushqimit. Moska mohon akuzat, duke thënë se ka ofruar kalim të sigurt për mallrat, ndërsa Ukraina po pengon anijet civile të largohen nga portet, përfshirë Odessa. Rusia thotë gjithashtu se vendosja e minave detare nga Kievi ka krijuar një kërcënim për transportin detar në zonë.
Moska ka akuzuar Perëndimin se po e shtyn ekonominë globale drejt krizës. Në fund të marsit, presidenti rus Vladimir Putin dënoi “qasjet dhe veprimet e diskutueshme” të politikanëve perëndimorë në politikat e tyre ekonomike, energjitike dhe ushqimore. Këto qasje, tha Putin, kanë çuar në ndërprerje të zinxhirëve të prodhimit dhe logjistikës, rritje të inflacionit global, rritje të pabarazisë, rënie të standardeve të jetesës së miliona njerëzve dhe zi buke masive në vendet më të varfra. Ai tha gjithashtu se kriza ushqimore do të pasohet në mënyrë të pashmangshme nga një valë tjetër migrimi, kryesisht në vendet evropiane.