Paraditen e sotme është paraqitur pranë ambienteve të SPAK-ut, një nga zonjat e përmendura nga denoncimet e kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, pasi figuronte si biznesmene në një nga kompanitë e inceneratorëve.
Merita Hajdari nuk ka pritur të shkojnë institucionet tek ajo, por është paraqitur vetë në dyert e SPAK-ut pasi ka dëgjuar emrin në televizion dhe kërkon informacion për figurimin e emrit të saj si biznesmene e inceneratorëve.
Ajo ka treguar jashtë kamerave për gazetarët se gjatë gjithë jetës së saj ka shitur kanaçe për riciklimin e aluminit.
Zonja ishte e shoqëruar nga dy djemtë e saj.
Emri i Merita Hajdarit është më i fundit që është zbuluar si një ndër “biznesmenët e inceneratorëve” pas çiftit të të moshuarve, Rruzhdije dhe Shkëlqim Meta por edhe bashkëmoshtarëve të tyre Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi.
Zonja pretendon se i kanë falsifikuar firmën dhe të dhënat personale për t’i përdorur në skemën e inceneratorëve.
Hajdari është vetëm një prej emrave të shumtë që dalin në aferën e inceneratorëve por nuk kanë asnjë dijeni për këtë, ku mes tyre ka azilantë, mbledhësh kanoçesh e çobanë, të cilët kanë nisur prej ditës së sotme të paraqiten në SPAK.