Pasi e panë se qeveria nuk po lëshon pe lidhur me Hartën e re Gjyqësore, avokatët kanë njoftuar mbajtjen e një proteste.
Avokatë nga e gjithë Shqipëria kanë vendosur që të protestojnë më 14 korrik përpara godinës së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.
Në urdhrin që mban firmën e kryetarit të dhomës së avokatisë Maks Haxhia thuhet se protesta do nisë në orën 11:00.
“Në bazë të vendimit nr.3 datë 7.07.2022 të Këshillit të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë në kuadër të bojkotit të proceseve gjyqësore lidhur me miratimin e Hartës Gjyqësore njoftohen të gjithë avokatët e Shqipërisë mbi organizimin e protestës që do të zhvillohet në formën e një tubimi me datë 14 Korrik, ora 11:00 përpara godinës së Këshillit të Lartë Gjyqësor.”– thuhet në njoftim.
Kujtojmë se avokatët prej javësh vijojnë bojkotin e seancave gjyqësore në shenjë proteste, por kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.