Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i Butrintit, Dervishaj-deputetëve: Ka probleme të shumta, shkel Kushtetutën, s’ruan vlerat ndalon auditimin e të ardhurave


Shqyrtimi i dekretit të presidentit Meta për ligjin e dhënies me koncesion të Parkut të Butrintit është shoqëruar me debate në Komisionin e Ekonomisë.

Ndërsa një grup qytetarësh protestonte jashtë Kuvendit, brenda sallës deputetët e PS-së e PD-së u përplasën me njëri-tjetrin.

Deputetja e PD-së Zhupa kërkoi që mbledhjet e komisionit për temën në fjalë të hidhen në rrjet duke qenë se kanë interes publik në mënyrë që të gjithë të interesuarit të kenë qasje mbi diskutimet.

Ndërkaq përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledi Dervishaj tha gjatë fjalës së tij se transparanca e këshillimi publik për dhënien me koncesion të Butrintit kanë munguar që në krye të herës.

Sipas tij, të meta janë gjetur edhe në Kuvend ndërsa theksoi se koncesioni në fjalë shkel Kushtetutën, Konventën e Parisit, nuk garanton mbrojtjen e vlerave kulturore e auditimin e të ardhurave.

Po kështu Dervishaj tha se ka probleme e paqartësi edhe mbi mënyrën e përzgjdhjes së Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, kompanisë që është vendosur t’i jepet koncesioni.

“Transaprenca dhe konsultimi publik kanë munguar që në gjenezën e tij. Jo vetëm që ky proces ka munguar, por kemi gjetur të meta edhe në Kuvendin e Shqipërisë. Nëse Kuvendi do të kishte treguar pak më shumë interes, kishte dy mundësi zgjedhjeje, ose të riparonte të metat, ose t’ia kthente qeverisë projektligjin, i cili në këtë fazë është miratuar. Procesi legjislativ që ka çuar në miratim cenon dispozita konkrete të Kushtetutës, cenon Konventën e Parisit. Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk është marrë mendimi i ekspertëve të pavarur, nuk ka një proces të gjerë konsultues me publikun, shmang auditimin për të ardhurat që do të krijohen si dhe cenon rezolutën e Parlamentit Europian. Në këto kushte, presidenti vlerësoi se duhet t’i kthehet Kuvendit. Brenda Parkut Kombëtar ka 10 zona arkeologjike, që në fakt janë ngritur edhe shqetësime nga njohës të fushës e ato janë përfshirë në dekretin e presidentit për kthimin e ligjit.

Nuk garantohet mbrojtja dhe ruajtja e vlerave kulturore. Shteti shqiptar ka mundësinë për të garantuar ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurive të tilla si Butrinti. Nuk hidhet dritë mbi shumë procese mbi mënyrën sesi është vlerësuar mënyra e administrimit, si është vendosur përzgjedhja e FAZH, a ka patur subjekte të tjera që kanë shprehur interesin për administrimin etj, me cilët është konsultuar plani i menaxhimit?” – tha Dervishaj.