Vendosni fjalën kyçe....

Lëvozhga e ashpër e çmimit të energjisë


Nga Klodian Gradeci

Rëndom, kohët e fundit, dëgjon përfaqësues të qeverisë se janë duke blerë energjinë në treg ndërkombëtar dhe barrën e kësaj kostoje është duke e mbartur qeveria. Ky është dhe një nga argumentat kryesore që japin përgjigje përse është e pamundur ndërhyrja e qeverisë për të frenuar rritjen e çmimeve me mbi 50% në çdo faturë që paguajnë sot qytetarët.

Por dikush duhet të shpjegojë se kush e paguan realisht faturën e energjisë, qeveria apo xhepi qytetarit.

Të gjithë e dinë se çmimi i energjisë vendoset nga ERE, i cili është ent i pavarur. Ky ent, përcakton çmimin e të gjithë tipologjisë konsumatore, duke marrë në konsideratë koston e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes, furnizimit dhe tregtimit.

Ndërkohë që jashtë kësaj skeme qëndrojnë konsumatorët e kualifikuar, pasi e sigurojnë energjinë e tyre në treg të lirë dhe qeveria prej vitesh ka hequr dorë nga lehtësirat për “industrialistët” shqiptarë.

Për të kuptuar çdo gjë po rendis disa të dhëna zyrtare nga raporti vjetor 2021 i ERE-s.

Centralet prodhuese private me përparësi në vitin 2021 prodhuan 2200 GWh.

Konsumi familjar ishte rreth 3200 GWh. Këta janë 37% e konsumit total në vend ose 50% e konsumit që ka OSHEE, ose konsumator te 3081 GWh. Kjo e fundit është sasia minimale shumë vjeçare që prodhon KESH si prodhues publik i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik.

Konsumatorët privatë janë 36% e konsumit të OSHEE-së ose 1750 GWh. Këta konsumojnë ¾ e energjisë që prodhohet nga HEC-et private të vogla dhe ato me përparësi.

Niveli i humbjeve dhe i mos arkëtimit në OSHEE është 23.2% e sasisë totale që konsumon OSHEE. Vetëm diferenca e faturimit dhe arkëtimit është 31 milionë Euro.

Sasia totale e humbjeve të OSHEE-së është 1600 GWh. Kjo është sasia e energjisë që OSHEE blen në treg të lirë me çmim reference bursën HUPX, kur nuk e siguron dot nga HEC-et e vogla private dhe ato me përparësi ose KESH.

Sipas ERE-s, çmimi mesatar i sasisë së energjisë që FSHU shiti në vitin 2021 për Klientët e Shërbimit Universal, ishte 10.94 lekë/kWh.

Kur çmimi i energjisë që prodhon KESH paguhet 1.45 lekë/kWh, kur çmimi energjisë që prodhojnë HEC-et Private me Përparësi dhe ato të vogla paguhet me 8.5 lekë/kWh, kur çmimi impianteve fotovoltaike paguhet 12.3 lekë/kWh, kur çmimi mesatar i shpërndarjes është 4.8 lekë/kWh, kur çmimi i transmetimit është 0.75 lekë/kWh, atëhere, kupton fare qartë, se çmimi për klientët e shërbimit universal nuk ka arsye të rritet.

Nëse qeveria është duke paguar sasi energjie me çmim rreth 350 Euro/MWh (https: // hupx.hu/en/), kjo ndodh për shkak se ritmi reduktimit të humbjeve dhe mirë administrimit të sistemit është shumë larg përgjegjësive për të cilën janë në detyrë.

Rritja e çmimit të energjisë mund të pranohej nëse ERE do të rriste çmimin që OSHEE paguan ndaj prodhuesve privatë të vegjël dhe atyre me përparësi ose nëse këta të fundit do zgjidhnin të furnizonin furnizues të tierë me çmime në treg të lirë, shumë më të leverdisshme për interesat e tyre se çmimi aktual 8.5 lekë/kWh.

Sa më lart, është e qartë se çmimin e energjisë, koston e investimeve dhe zhvillimit të sistemit, e ka paguar xhepi i qytetarit.

Llokumet se jemi duke blerë energji për qytetarët me çmime 350-400 Euro/MWh dhe faturën po e mbart vetë qeveria, mos i hani.

Janë me arra të krimbura dhe me lëvozhga që të thyejnë dhëmbët.