Me debate është shoqëruar mbledhja e sotme e Komisionit të Ligjeve ku po diskutohen disa ndryshime në ligjin për Policinë Ushtaraka e Ushtrinë e vendit.
Deputeti i PD-së Bardhi ka ngritur çështjen e Majorit Ermal Dinoshi, i cili ishte dërguar në Holandë në një bazë të NATO-s por është arrestuar duke shërbyer në një fermë kanabisi.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes u mbrojtën duke thënë se përgjegjësia për ngjarjen në fjalë është personale, ndërsa do të ndërmerren hapa ligjorë kundër Majorit të arrestuar, shkruan BW.
Kryetarja e Komisionit Bushka i është përgjigjur Bardhit duke i thënë se çështja në fjalë nuk është në rendin e ditës ndërsa deputeti i PS-së Majko ironizoi Bardhin duke i thënë se i përket një brezi që nuk e ka bërë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Debatet
Bardhi: A ka pasur Ministria e Mbrojtjes informacion për aktivitetin e këtij ushtaraku të lartë? Çfarë veprimesh ka bërë Shërbimi Informativ Ushtarak? A keni informacione të zyrtarëve të tjerë të lartë të ushtrisë për përfshirje në veprimtari kriminale? Si ndikon kjo në marrëdhëniet tona me NATO-n? A është cënuar siguria kombëtare e shtetit shqiptar dhe pastaj mund të dalim se çfarë veprimesh do bëjë policia e reformuar ushtarake që ju po ngrini kur ai të kthehet në atdhe? Ju keni Shërbim Informativ Ushtarak, keni 3 komanda dhe çoni zyrtarë të lartë atje në Holandë që paradite shërbejnë në NATO dhe pasdite heqin veshjen për t’i shërbyer shtëpisë së barit.
Bushka: I paskeni lexuar të gjitha gazetat zoti Bardhi. Rendi i ditës është në diskutimin e ligjit për policinë ushtarake dhe kjo çfarë lidhje ka me këtë zoti Bardhi.
Përfaqësuesja e ministrisë: Forcat e Armatosura nuk mund të përfaqësohen me një person të vetëm, do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore dhe përgjegjësia është personale.
Bardhi: Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak se për këtë paguhen këta dhe këtë të përgjegjësisë personale lërjani dikujt tjetër. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri. Ministria duhet të kryejë hetime pro aktive që të mos çojmë këta ushtarakë që ruajnë shtëpi bari në bazat e NATO-s. Ka dështuar Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, policia ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë.
Bushka: S’kemi pse diskutojmë çështje që si përkasin rendit të ditës.
Majko: Zoti Gazi i shërben atij brezi që nuk e ka shërbyer ligjin e detyrimit ushtarak ndaj nuk e njeh mirë strukturën. S’kemi të bëjmë me ngjarje që prek të gjitha strukturat e ushtrisë.