Vendosni fjalën kyçe....

ME VIDEO – Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit debat me Shalsin në zyrën e tij, deputeti: Do e kalojmë ligjin pa ndryshuar asgjë


 

Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit nuk janë lejuar që të futen sot në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë ku u shqyrtua dekreti i presidentit Meta për kthimin e këtij ligji në parlament.

Në një video të publikuar nga njëri prej përfaqësisë, gazetari Ardit Zenelui, shfaqet debati në zyrën e kreut të komisionit Shalsi.

Gazetari shkruan se Shalsi ka pohuar gjatë mbledhjes së ligji do kalojë në parlament për miratim pa asnjë ndryshim pa u marrë parasysh asnjë nga kërkesat e bëra si nga presidenti Meta ashtu edhe nga Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit.

“Sot nuk na lejuan të hynim në Komisionin e Ekonomisë, ku do shqyrtohej dekreti i Presidentit, për dhënien me koncesion të Butrintit. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, na tha se ju nuk do dëgjoheni dhe nuk mund të hyni në komisionin që ai drejton. Megjithëse jemi palë e interesuar dhe kemi dëguar shkresë të protokolluar, të premten e kaluar në Kryesinë e Kuvendit. Zoti Shalsi na pohoi se do e kalonin në komision, se nuk do ndryshonte asgjë, madje se do t’a kalonin dhe në Parlament, si herën e parë, pa marë parasysh asgjë. Këto na i tha në zyrën e tij, pra jo në komision. Po ashtu pohoi, se na kishte dëgjuar  nga youtube, ne dhe disa të tjerë. Dhe se nuk është koha më për dëgjesa por për vendimarrje.” – thotë Zeneli.

Në mbledhjen e Komisionit pati debate edhe mes deputetëve të PD-së e atyre të PS-së. Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i Presidencës Bledi Dervishaj argumentoi dekretin e Metës për kthimin e ligjit.

Ai tha se koncesioni cenon Kushtetutën, Konventën e Parisit, nuk garanton ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave kulturore si dhe ndalon auditimin e të ardhurave të fituara.

Po kështu ai tha se ka pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit si kompania fituese e koncesionit.