Ylli olimpik i Britanisë, Sir Mo Farah ka mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte fëmijë dhe është detyruar të punonte si shërbëtor shtëpie.
Kështu ka treguar ai për BBC-në, duke pranuar se emrin Mohamed Farah ia kanë vënë ata që e kanë fluturuar nga Xhibuti. Por emri i tij i vërtetë është Husein Abdi Kahin.
Farah u fluturua nga vendi i Afrikës Lindore kur ishte vetëm nëntë vjeç nga një grua që nuk e kishte takuar kurrë, dhe më pas u detyrua të kujdesej për fëmijët e një familjeje tjetër.
Ai ka treguar se për vite është munduar ta mbajë këtë vetëm për vete, por këtë s’mund ta bënte dot më gjatë.
Më parë atleti ka thënë se erdhi në Mbretërinë e Bashkuar nga Somalia me prindërit e tij si refugjat.
Por në dokumentar e transmetuar të mërkurën nga BBC, ai thotë se prindërit e tij nuk kanë qenë kurrë në Mbretërinë e Bashkuar. Përkundrazi, nëna dhe dy vëllezërit e tij jetojnë në fermën e tyre familjare në shtetin e shkëputur të Somaliland.
Babai i tij, Abdi, u vra nga të shtënat me armë kur Sir Mo ishte katër vjeç, në mes të dhunës civile në Somali. Somaliland shpalli pavarësinë në vitin 1991, por nuk njihet ndërkombëtarisht.
Sir Mo thotë se ishte rreth tetë ose nëntë vjeç kur e morën nga shtëpia për të qëndruar me familjen në Xhibuti. Më pas ai u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar nga një grua që nuk e kishte takuar kurrë dhe me të cilën nuk kishte lidhje.
Ajo i tha atij se po dërgohej në Evropë për të jetuar me të afërmit atje, diçka për të cilën ai thotë se ishte “i emocionuar”.
“Unë kurrë nuk kisha qenë në një aeroplan më parë.”– thotë ai.
Gruaja i tha atij të prezantohej me emrin Mohamed. Ai thotë se ajo kishte me vete dokumente të rreme që tregonin foton e tij pranë emrit “Mohamed Farah”.
Kur mbërritën në Britaninë e Madhe, gruaja e çoi në banesën e saj në Hounsloë, në perëndim të Londrës, dhe i hoqi një copë letre që kishte të dhënat e kontaktit të të afërmve të tij.
“Pak përballë meje, ajo e grisi dhe e futi në kosh. Në atë moment e kuptova se isha në telashe.”- thotë ai.
Sir Mo thotë se ai duhej të bënte punët e shtëpisë dhe të kujdesej për fëmijët “nëse doja ushqim në gojën time”. Ai thotë se gruaja i tha atij: “Nëse dëshiron të shohësh përsëri familjen tënde, mos thuaj asgjë”.
“Shpesh mbyllesha në banjë dhe qaja.”- thotë ai.
Vitet e para, familja ku jetonte nuk e lejoi të shkonte në shkollë, por kur ishte rreth 12 vjeç ai u regjistrua në vitin e 7-të në Kolegjin e Komunitetit Feltham.
Stafit iu tha se Sir Mo ishte një refugjat nga Somalia. Mësuesja e tij e vjetër Sarah Rennie i thotë BBC-së se ai shkonte në shkollë “i çrregullt dhe i pakujdesshëm“, se ai fliste shumë pak anglisht dhe ishte një fëmijë “i tjetërsuar emocionalisht dhe kulturalisht”.
Ajo tregonte se njerëzit që thuhej se ishin prindërit e tij nuk morën pjesë në asnjë mbrëmje prindërore.
“E vetmja gjuhë që ai dukej se kuptonte ishte gjuha e sportit.“- kujton një tjetër mësues, ai i edukimit fizik. Mësuesi Alan Watkinson, vuri re një transformim tek djali i ri kur ai preku pistën e atletikës.
Sir Mo thotë se sporti ishte një mjet shpëtimi për të pasi “e vetmja gjë që mund të bëja për t’u larguar nga kjo situatë e jetesës ishte të dilja dhe të vrapoja”.