Vendosni fjalën kyçe....

Mosha e Biden bëhet ‘çështje’ për Shtëpinë e Bardhë – New York Times


Mosha e Presidentit Joe Biden po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për Shtëpinë e Bardhë, raportoi të shtunën The New York Times (NYT), duke cituar një mori zyrtarësh të paidentifikuar,

të cilët pranuan se ‘niveli i energjisë’ i liderit amerikan nuk është ai që ishte dikur. Mosha e presidentit tashmë po ndikon në rutinën e tij, pranon NYT, duke shtuar se në veçanti kjo e ka shtyrë Shtëpinë e Bardhë të ndryshojë orarin e udhëtimit të tij jashtë vendit.

Biden, i cili do nisë udhëtimin e tij katërditor në Lindjen e Mesme këtë javë, fillimisht pritej ta bënte këtë menjëherë pas udhëtimit të tij në Evropë muajin e kaluar.

Megjithatë, përpjekja thuhet se u konsiderua ‘e çmendur’ për 79-vjeçarin, siç e tha një zyrtar i paidentifikuar në një bisedë me NYT.

Administrata e Biden pranoi se ata përpiqen t’i ‘ruajnë’ fundjavat e tij në Delaware ‘sa më shumë që të jetë e mundur’, duke shtuar se ai është kryesisht një ‘president pesë ose pesë ditë e gjysmë në javë’, edhe pse ai mund të quhet ‘në çdo orë’ nëse lind nevoja.

Biden, 79 vjeç, është presidenti më i vjetër i Amerikës dhe tani është një vit më i vjetër se Ronald Reagan kur përfundoi mandati i tij i dytë.

Sipas NYT, Biden do u kërkojë amerikanëve në vitin 2024 që ta rizgjedhin president, edhe pse do mbushte 86 vjeç deri në fund të mandatit të tij.

Një sondazh i kryer në fund të qershorit nga Harvard CAPS-Harris Poll tregoi se rreth 64% e votuesve besojnë se ai është tashmë shumë i vjetër për të qenë president dhe mbi 70% do e kundërshtonin atë të kandidojë për një mandat të dytë.