Një i riu është arrestuar në Krujë pasi është kapur në flagrancë me një armë zjarri pistoletë pa leje.
Pas një kontrolli në mjetin tip VW Golf 5 me të cilin udhëtonte 24-vjeçari me iniciale H.S. u gjet arma e zjarrit.
Po kështu gjatë kontrolleve të mëtejshme, efektivët gjetën pranë fshatit Krastë një sipërfaqe të mbjellë më drogë të dyshuar kanabis duke arrestuar 31-vjeçarin me iniciale K.S.
Njoftimi
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe asaj të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po qarkullonte me armë zjari në automjet, kanë lokalizuar, me anë të dronit, në fshatin Krastë, automjetin që drejtohej nga personi i dyshuar.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në automjetin tip “Golf 5”, që drejtohej nga shtetasi H. S., 24 vjeç, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të operacionit, si rezultat i veprimeve proaktive, u bë e mundur që në një zonë të pyllëzuar të fshatit Krastë, të zbulohej një sipërfaqje toke në të cilën ishin kultivuar bimë narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë si autor i dyshuar i kultivimit të tyre, 31-vjeçari K. S., i cili ka lidhje shoqërore me shtetasin H. S.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.