Tre persona janë proceduar penalisht në Tiranë pasi policie zbuloi një armë zjarri automatik pa leje.
Pas kontrollit në rrugën ‘Gjergj Legisi’, blutë kanë gjetur të fshehur një armë zjarri ndërsa ka proceduar 17-vjeçarin me iniciale R.R. i cili dyshohet se e kishte fshehur.
Po kështu janë proceduar edhe 40-vjeçari B.K. e 39-vjeçari I.Z. për moskallëzim krimi.
Në Krujë është arrestuar një 41-vjeçar me iniciale Xh.K. i cili akuzohet se vinte baste sportive të paligjshme me anë të celularit.
Gjithashtu për rastin në fjalë është proceduar penalisht edhe pronari i lokalit ku viheshin bastet, M.S.
Njoftimi
“Vijon bashkëpunimi me qytetarët, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Falë këtij bashkëpunimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, procedohet penalisht 17-vjeçari që i kishte fshehur në rrugë, afër banesës së tij.
Procedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara falë bashkëpunimit me qytetarët, se në rrugën “Gjergj Legisi”, një shtetas kishte fshehur armë zjarri afër banesës së tij, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll të befasishëm në adresën e dhënë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të kësaj banese, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur mes shkurreve, një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin R. R., 17 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit B. K., 40 vjeç dhe I. Z., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon qytetarët, për bashkëpunimin, dhe i fton që të vazhdojnë të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast paligjshmërie që ata evidentojnë.”
Njoftimi
“Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”, goditet 1 rast tjetër i veprimtarisë së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vinte baste sportive me celular, në një lokal, vihet në pranga 41-vjeçari, procedohet në gjendje të lirë pronari i lokalit.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, aparati celulari që përdorej për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, që ka si qëllim goditjen e rasteve në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe ambiente të tjera, ku mund të organizohen lojëra fati të palejuara. Si rezultat, është bërë e mundur goditja e një rasti tjetër të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-Xh. K., 41 vjeç, banues në lagjen nr.4, Krujë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në lokalin ku punonte, duke vënë baste sportive me anë të një aparati celular, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, shtetasin M. S., banues në lagjen nr.4 Krujë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.”