Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që të ndërpriten me urgjencë pagesat fiktive për inceneratorët dhe të shtohet fondi për mbrojtjen nga zjarret.
Prej tre ditësh po digjet Mali i Çikës në Vlorë ndërkohë qeveria nuk po shpenzon para për të shtuar fondin për mbrojtjen nga zjarri.
Meta thekson se qeveria paguan për mafien e inceneratorëve ndërkohë ka lënë në mëshirë të fatit pasuritë natyrore.
“Të ndërpriten urgjentisht pagesat fiktive për inceneratorët dhe të shtohet fondi për mbrojtjen nga zjarret!
Për tre ditë me rradhë vatrat e zjarrit në Malin e Çikës në Vlorë po shkatërrojnë hektarë pyje, pasuri publike.
Siç dëshmon dhe kjo foto e fundit, flakët po përparojnë me shpejtësi drejt fshatit turistik të Dhërmiut, të tejmbushur me turistë, duke kërcënuar gjithashtu Kondraqin dhe Borshin.
Për fat të keq, Qeveria që paguan çdo ditë mijëra euro për mafien e inceneratorëve, vijon të mos shpenzojë as 1 cent për të shtuar fondin për mbrojtjen nga zjarret.
Lënia në mëshirë të fatit të pasurisë natyrore dhe moskokëçarja përballë kërcënimit serioz të shëndetit, jetës dhe pronës së qytetarëve është tronditëse!
I bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse qendrore dhe vendore, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile të ngrihen në këmbë, të marrin në dorë situatën dhe të reagojnë me urgjencë!
E konsideroj kriminale mosnxjerrjen e mësimeve nga e kaluara dhe mosveprimin në kohë në lidhje me zjarret!”-shkruan Meta.