Vendosni fjalën kyçe....

PD akuza kreut të ARRSH-së Evis Berberi: I dha tenderin e rrugës kompanisë që kërkoi 2 milionë euro më shumë se rivalët


PD ka akuzuar kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi se i ka dhënë tenderin e riparimit të rrugës Fier-Vlorë kompanisë së katërt në listë dhe me ofertë 2 milionë euro më të shtrenjtë se rivalët.

Në një dalje për mediat nga selia blu, anëtari i kryesisë së PD-së, Eno Bozdo tha se Bereri duhet të përgjigjet për këtë fakt dhe mungesëne  transparencës në vendimmarrje.

Po kështu ai falënderoi median për publikimin e fakteve dhe i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë rastin në fjalë e të tregojë se nuk është ‘degë e thyer’ e qeverisë.

Deklarata

“Për riparimin e rrugës së vjetër Fier-Vlorë ARRSH nuk kursehet sikur t’i kishte para të lëna trashëgim nga babai, Evis Berberi ia ka dhënë tenderin e rehabilitimit të rrugës jo ofertës më të mirë prej 4.5 milionë eurosh por të katërtës prej 6.5 milionë euro. 2 milionë euro më shumë që nuk vijnë nga xhepi i tij e as i Ramës po i taksapaguesve shqiptarë. ARRSH mund të hynte në Librin Guinness me vendimet antiligjore, të papërgjegjshme e të kushtueshme. PD e denoncon një akt të tillë i cili nuk është i paprecedentë për këtë qeveri po nuk ka precedentë në vende normale ku qeverisja është transparente e llogaridhënëse. Tre pyetje që do bënte çdo qytetar dhe ne i përsërisim në emër të tyre janë:

Pse kalohet te e katërta në listën e ofertave dhe shmangen tre të parat?

Pse zgjidhet një ofertë që kushton 2 milionë euro më shumë se konkurruesit?

Pse nuk ka transparencë në vendimmarrje?

PD kërkon vëmendjen qytetare dhe të organeve të drejtësisë për shpenzime të tilla abuzive dhe rrjedhimisht korruptive. Alarmi bëhet edhe më i fortë po të kujtosh borxhin publik të vendit që po kap 100% me shpejtësi. PD falënderon median që investigon e publikon akte korruptive të tilla dhe i bën thirrje organeve të drejtësisë të dëshmojnë se janë në krye të punëve dhe pushteti i pavarur jo një degë e thyer e qeverisë.”