Duke nisur nga dita e shtunë, do të devijohet qarkullimi në rrugët e kryeqytetit në kuadër të punimeve për Lotin 3 të Unazës Lindore.
Sikurse bën me dije Autoriteti Rrugor Shqiptar, do të bllokohet lëvizja nga segmenti i unazës Lindore Farkë-Shkozë. Përdoruesit e këtij segmenti do të devijojnë nga rruga kryesore në nyjën e Farkës duke përdorur rrugën “Ali Shefqeti” dhe “Alajdin Frashëri” deri në rrethrrotullimin e Shkozës dhe anasjelltas.
Punimet parashikohet të zgjasin 10 ditë.
Njoftimi i ARRSH-së
Në vijim të punimeve për zbatimin e projektit “Rikualifikimi i akseve rrugore Unaza Lindore Loti 3” dhe “Plotësimi i punimeve dhe rrugët lidhëse në Unazën Lindore Loti 2”, sipas grafikut të punimeve, në datën 16.07.2022, ora 08:00, do të fillojnë punimet për montimin e trarëve të mbikalimit në Shkozë, si dhe punimet e asfaltimit të karrexhatës së majtë dhe të djathtë të rrugës kryesore të segmentit rrugor Farkë-Shkozë.
Për realizimin e këtyre punimeve është e nevojshme të kryhet bllokimi i segmentit të unazës Lindore Farkë-Shkozë. Përdoruesit e këtij segmenti rrugor do të devijojnë nga rruga kryesore në nyjën e Farkës duke përdorur rrugën “Ali Shefqeti” dhe “Alajdin Frashëri” deri në rrethrrotullimin e Shkozës dhe anasjelltas.
Në këto pika të devijimit do të vendoset sinjalistika e përkohshme orientuese për qarkullimin e mjeteve. Kryerja e këtyre punimeve është parashikuar të zgjasë rreth 10 ditë. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të mjeteve dhe të banorëve për këtë devijim!