Vendosni fjalën kyçe....

SHBA do dyfishojë vizat e punës për shtetasit e Meksikës dhe Amerikës Qendrore


SHBA do të dyfishojë numrin e vizave të përkohshme për punëtorët nga Amerika Qendrore dhe Meksika, tha Shtëpia e Bardhë të martën pasi Presidenti Joe Biden zhvilloi takimin e tij të dytë kokë më kokë me Presidentin e Meksikës, në më pak se një vit. Të dy udhëheqësit u takuan për të diskutuar mbi emigracionin, sigurinë, inflacionin dhe sfidat që shtrihen përtej Amerikës së Veriut. Anita Powell e Zërit të Amerikës raporton nga Uashingtoni.

Presidenti meksikan është kthyer në kryeqytetin amerikan, për të dytën herë brenda një viti. Zoti Lopez Obrador, në fund të vitit të kaluar u takua me Presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, për një samiti trepalësh që përfshinte edhe Kanadanë.

Të martën, udhëheqësi i majtë meksikan u takua kokë më kokë me zotin Biden në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Obrador e pranoi se shtetet fqinje nuk kanë rënë gjithmonë dakord.

“Pavarësisht nga dallimet dhe ankesat tona që nuk harrohen lehtë, megjithatë ne kemi qenë në gjendje të takohemi dhe të punojmë së bashku si miq të mirë dhe aleatë të vërtetë”, tha Presidenti meksikan Obrador.

Zoti Biden u përpoq gjithashtu të qetësonte atë që shumë vëzhgues e panë si një ftohje mes të dyve, pasi udhëheqësi meksikan nuk mori pjesë në një samit rajonal të organizuar së fundmi nga Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni vendosi të mos ftojë udhëheqësit e Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës, duke thënë se vetëm demokracitë e meritonin të përfshiheshin.

“Kjo është një marrëdhënie që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të njerëzve tanë. Dhe pavarësisht titujve të fryrë të lajmeve që ne shohim ndonjëherë, ju dhe unë kemi një marrëdhënie të fortë dhe produktive”, tha Presidenti amerikan Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë i tha Zërit të Amerikës se ata po e forcojnë këtë marrëdhënie duke dyfishuar numrin e vizave të përkohshme për emigrantët e Amerikës Qendrore.

“Ne e dimë se nëse duam të zvogëlojmë numrin e njerëzve që emigrojnë në mënyrë të parregullt duke u mbështetur në rrjete kriminale të kontrabandës, ne duhet të zgjerojmë numrin e rrugëve ligjore”, tha këshilltarja për emigracionin në Shtëpinë e Bardhë, Katie Tobin.

Por ish-ambasadori i Meksikës në SHBA vlerëson se kur zoti Obrador kandidoi në vitin 2018 për president, ishte i përqëndruar tek çështjet vendore. Ish ambasadori Arturo Sarukhan foli për Zërin e Amerikës nga Londra duke theksuar se zoti Obrador në katër vitet e presidencës së tij ka bërë vetëm 4 udhëtime jashtë vendit, 3 prej të cilave ishin në Uashington dhe njëri në OKB, në qytetin e Nju Jorkut.

“Mendoj se ajo që është me të vërtetë e rëndësishme në lidhje me këtë takim në Uashington, është angazhimi i Presidentit Biden për t’u siguruar që marrëdhëniet SHBA-Meksikë të qëndrojnë në një nivel normaliteti”, u shpreh zoti Sarukhan.

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë zgjedhje presidenciale që çdo 12 vjet rastisin në të njëjtin vit. “Eklipsi” i radhës për zgjedhjet presidenciale SHBA-Meksikë do të jetë në vitin 2024, pas të cilave pritet të kuptohet më qartë edhe trajektorja e marrëdhënieve mes të dy vendeve.