Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet lista përfundimtare e tetë kandidatëve për të zëvendësuar Boris Johnson


Tetë kandidatë janë përzgjedhur për të konkurruar për të zëvendësuar Boris Johnson si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe kreu i Partisë Konservatore, zbuloi të martën komiteti përgjegjës për organizimin e garës.

Graham Brady, një deputet konservator dhe kryetar i Komitetit të vitit 1922, konfirmoi listën e emrave në një konferencë shtypi në Westminster.

Kandidatët përfshijnë ish-ministren e Barazive Kemi Badenoch, Prokuroren e Përgjithshme Suella Braverman, ish-Sekretarin e Shëndetësisë Jeremy Hunt, Sekretarin e Tregtisë Penny Mordaunt, ish-Kancelarin e Thesarit Rishi Sunak, Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme Tom Tugendhat, Sekretaren e Jashtme Liz Truss dhe ish-Sekretarin e Arsimit Nadhim Zahawi, i cili mori postin e Kancelarit pas dorëheqjes së Sunak javën e kaluar.

Kandidatët duhej të propozoheshin nga 20 anëtarë partie për të hyrë në listën përfundimtare. Raundi i parë i votimit fillon të mërkurën, ku çdo kandidat që merr më pak se 30 vota do eliminohet. Raundi i dytë zhvillohet të enjten, ku kandidati që ka marrë numrin më të vogël të votave do braktisë garën.

Raundet pasuese të votimit deri në korrik do eliminojnë kandidatët më pak të popullarizuar derisa të mbeten vetëm dy, pikë në të cilën 180,000 anëtarët e Partisë Konservatore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar do votojnë për kandidatin e tyre të preferuar dhe fituesi do të shpallet më 5 shtator.

Johnson njoftoi dorëheqjen e tij javën e kaluar pasi dhjetëra zyrtarë të rangut të lartë dhanë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj administratës së tij të goditur nga skandali.

Ndërsa largimi i tij ka shkaktuar spekulime intensive në lidhje me zëvendësimin e tij, disa nga emrat më të njohur, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Ben Wallace dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Sajid Javid, nuk arritën në listën e fundit të të tetëve.

Pavarësisht kryesimit në një sondazh të të preferuarve mes votuesve, Wallace njoftoi të dielën se nuk do konkurronte për rolin, ndërsa Javid u largua nga gara disa minuta përpara afatit të së martës.

Nga kandidatët e mbetur, Sunak dhe Mordaunt aktualisht janë duke udhëhequr garën, sipas basteshkruesve.