Dhoma e Avokatisë ka zhvilluar sot një protestë para Këshillit të Lartë Gjyqësor kundër hartës së re gjyqësore të përgatitur nga ky institucion e që pritet të miratohet nga parlamenti. Kreu i Dhomës së
Avokatisë, Mask Haxhia tha gjatë fjalës së tij se çështja do shkojë në Gjykatën Kushtetuese ndërsa theksoi se harta e përgatitur cenon qasjen e qytetarëve ndaj marrjes së drejtësisë.
Ndërkohë KLGJ, Dhoma e Magjistratëve dhe ministri i Drejtësisë Manja e kanë mbrojtur hartën duke thënë se ajo u jep qytetarëve mundësinë që të marrin drejtësinë e barabartë e në të njëjtën kohë.
“Nuk ndihemi të humbur në asketin që gjithë problemet nuk u morën parasysh. Ajo që ne donim të realizonim, e realizuam. Ja bëmë të qartë qytetarëve që kjo hartë gjyqësore do bie në kurriz dhe xhepave të tyre. Të shërbejë ky tubim si një thirrje e fundit për KLGJ dhe qeverinë për ta riparë edhe njëherë. Kjo hartë do krijojë problematika të mëdha. Ne nuk vëmë vija të kuqe, jemi profesionistë. Ne ju sigurojmë që harta do krijojë problematika. Kemi paraqitur argumente që drejtësia të jetë e realizueshme dhe qytetarët të kenë akses. Kemi propozuar shumë variante që janë të realizueshme dhe rezultatet janë bindëse. Do ta dërgojmë në Kushtetuese, ai është hapi i fundit, jemi juristë. Kemi një kuadër ligjor që përbëhet nga ligji për avokatët dhe ju siguroj që çdo hap i hedhur është konform legjislacionit. Në lidhje deklaratën e ministrit Manja për kufizimin e avokatëve, çdo përpjekje për kufizimin është e dështuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që asnjë pushtet tjetër nuk mund të ndërhyjë në profesionin e avokatit, një profesion i vetërregulluar. Po presim një reagim të fundit nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pastaj rruga tjetër është teknike që ne e zotërojmë në plotësi.” – tha ai.