Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti arkëton 370 milionë euro më shumë të ardhura në 6 mujorin e parë


Çmimet e larta dhe përmirësimi i administrimit të të ardhurave buxhetore kanë rritur ndjeshëm të hyrat në buxhet.

Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat në buxhet për 5 mujorin e parë të vitit ishin gati 280 miliardë lekë, me një rritje prej 19%, ose 45 miliardë lekë (370 milionë euro) më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Çmimet e larta ndikuan pozitivisht në arkëtimin e më shumë taksave në buxhet. Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare ishte 18.3 miliardë lekë më shumë me bazë vjetore në 6 mujorin e parë, duke ndikuar në 40% të shtesës totale.

Buxheti ka vijuar të jetë me suficit (të ardhurat më të larta sesa shpenzimet) për shkak të ecurisë së mirë të arkëtimeve dhe frenimit të shpenzimeve.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e gjashtë të vitit 2022, arritën në rreth 263 miliard lek me një realizim në masën 88 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë është rezultuar -0.1 përqind më i ulët ose 0.21 milion lek më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 6-mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 16.090 miliard lek. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 29.142 miliard lek.

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 6-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 279.3 miliardë Lekë ose 106 % të planit të 6-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 45 miliard lekë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u realizuan në masën 245.8 miliardë lekë, 42.8 miliardë ose 21.1% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 14.3 miliardë ose 6.2% më shumë se plani 6-mujor për vitin 2022.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 103 miliardë lekë, 18.3 miliardë lekë ose 21.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 4.6 miliardë lekë ose 4.7 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 6 mujorin e vitit 2022.

Të ardhurat nga TVSH në import për 6 mujorin rezultojnë 72.5 miliardë lekë, 15.6 miliardë lekë ose 27.4 % më shumë se një vit më parë, si dhe 5.2 miliardë ose 7.8% më shumë se plani për 6 mujorin 2022.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 24.2 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 4.3% më shumë se viti 2021, si dhe 2.2 miliardë lekë ose 8.4% më pak se plani i akcizës për 6 mujorin 2022.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.3 miliardë lekë, 1.1 miliardë ose 86.3% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 154.4% kundrejt planit.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 3.9 miliard lekë, 584 milionë lekë ose 17.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe realizim në masën 126.2% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 6 mujorin 2022 u realizuan në masën 142.8 miliardë lekë, 24.5 miliardë ose 20.8% më shumë se 6 mujori i vitit të kaluar, si dhe 9.7 miliardë lekë, ose 7.3% më shumë se plani i 6 mujorit 2022.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 18.6 miliardë lekë, 7.1 miliardë ose 61.9% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 270 milionë ose 1.4% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 6 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 6 mujore 2022 janë 7.9 miliardë lekë, 7.5 miliardë lekë ose 48.7% më pak se 6 mujori 2021, si dhe 791 milionë lekë ose 9.1% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 6 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 24.9 miliardë lekë, 7.3 miliardë lekë, ose 41.1% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 7 miliardë lekë ose 39.1% më shumë se plani i vitit 2022 për këtë zë.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 21.6 miliardë lekë, 2.5 milardë lekë ose 13% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 405 milionë ose 1.8% më pak se plani i 6 mujorit 2022.

Taksat nacionale, për peridhën 6 mujore 2022 u realizuan në masën 20.7 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 13.6% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe 1 miliardë lekë ose 5.1% më shumë se plani i përcaktuar për 6 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 57 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se 6 mujori 2021, si dhe realizim 104.3 % të planit për 6 mujorin 2022.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 6 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 263.2 miliard lek me një realizim në masën 88 përqind të planit të periudhës ndërkohë që, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 213 milion lek më pak. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 6 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 41 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe planit vjetor sipas Aktik Normativ nr.3, datë 12.03.2022 (AN nr.3).

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 6 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98 përqind dhe 71 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 45 përqind dhe 24 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 45 përqind dhe 27 përqind të planit vjetor sipas AN nr.3.

Shpenzimet korente për periudhën 6 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 226.3 miliard lek, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 4.6 përqind më i lartë ose rreth 9.9 miliard lek më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 6 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 29 miliard lek. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 37.8 përqind më i ulët ose rreth 17.65 miliard LEK më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 6 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 16.1 miliard lek nga rreth 33.47 miliard lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 29.14 miliard lek, për periudhën 6 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor