Vendosni fjalën kyçe....

BW: Kryetari i Bashkisë Divjakë u godit nga nipi i deputetit socialist


Të tjera detaje kanë dalë nga dhunimi i kryetarit të Bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi.

BalkanWeb raporton se kryebashkiaku i Divjakës është përfshirë në një konflikt të dhunshëm me nipin e deputetit socialist Paulin Stërkaj.

Ishte zyrtari që denoncoi në komisariatin e Divjakës se u ofendua dhe u godit me grushte nga nipi i deputetit të Partisë Socialiste Paulin Stërkaj 32 vjeçari Dritan Stërkaj, administrator i një resorti në Divjakë.

Kokoneshi nuk ka zbardhur detaje rreth motiveve të konfliktit që pati me 32 vjeçarin, por në polici ka thënë se është goditur për shkak të detyrës.

Sipas BW dyshohet se resorti në Divjakë që administrohet nga Dritan Stërkaj që dikur ka qenë kampi i punëtorëve, është bërë shkak i konfliktit mes Kokoneshit dhe nipit të deputetit socialist.

Burimet thonë se pagesa e taksave ndaj Bashkisë që resorti ka detyrim, u bënë shkak për konfliktin mes Stërkajt dhe Kokoneshit.

Për këtë ngjarje policia ka referuar materialet në Prokurori, institucion që pritet të hetojë më gjerësisht rreth konfliktit që degjeneroi në dhunë ndaj një zyrtari.