“Drejtësia po godet vetëm nga maxhoranca”, Salianji i përgjigjet Gjiknurit: Ne vetëm fjalën kemi, kujt i kërkoni llogari


Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është shprehur kritik ndaj reformës në drejtësi. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai u ndal edhe tek thirrjet e deputetëve të PS-së të cilët kërkonin që drejtësia të godasë edhe në radhët e opozitës.

Dëgjoj që thonë deputetët e PS, thonë drejtësia të funksionojë për të gjithë, por ne duar në xhepa dhe fjalën do kemi çdo të funksionojë. Kujt i kërkoni ju llogari keni 9 vite në qeverisje. A ka këtu një marrëveshje të heshtur për t’ju hedhur hi syve shqiptarëve. Shqipëria është turp, është kokë më kokë me Rusinë për korrupsionin. Sipas raporteve të OKB-së, krimi është rritur. Shtet s’mund t’i themi këtij, shtet pambuku.  Ne po ndërtojmë shtet pambuku, ku më i forti i mbyt të gjithë të tjerët.”– tha Salianji.

Ky reagim i Salianjit vjen pasi sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri u bëri thirrje organeve të drejtësisë të godasin edhe në radhët e opozitës.

“Institucionet e drejtësisë duhet të fitojnë më shumë pavarësi, duhet të vetërregullohen. Nuk duhet të bien pre e presioneve të politikës. Nuk duhet të ndëshkojnë vetëm disa të ngratë dhe të shpëtojnë disa të fortë. Nuk duhet të presë thika vetëm nga njëra anë.”– tha Gjiknuri në Kuvend.

Më tej ai tha se “djathtas” ka krime që i dinë të gjithë dhe sot mbeten pa ndëshkim.

“Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi nga të gjitha anët. Unë them se atyre që u duket se kanë shpëtuar nga drejtësia nuk e kanë më të drejtën morale të flasin këtu kur shikojnë që drejtësia sot godet nga mazhoranca. Unë nuk jam i lumtur. Asnjë nuk është i lumtur kur sheh një koleg të tij, politikan apo zyrtar.

Nga ana tjetër, që të vendosësh drejtësi nuk duhet që të godasësh vetëm nga njëra anë. Nuk e kam për kompensim politik këtë, por janë krime që i dinë të gjithë, janë vepra që kanë ndodhur në sy të të tjerëve, janë dëme që i janë bërë Shqipërisë. Nuk paska drejtësi për këta?! Ndonjëherë drejtësia këtu bën kompromisin e statistikave, kjo është vërteta. Njerëz me influencë kriminale dhe politike edhe të së shkuarës i shpëtojnë drejtësisë.”– tha ai.