Vendosni fjalën kyçe....

Gruaja që mblidhte kanaçe për të jetuar por doli “miliardere e inceneratorëve”: Unë nuk jam bose por fukareshë, kërkoj ballafaqim me Ramën


 

Merita Hajdari, gruaja e cila prej vitesh mbledh kanaçe për të siguruar jetën por që së fundmi ka mësuar se emri i ka dalë biznesmene e kompanive që janë akuzuar për evazion fiskal lidhur me inceneratorët, ka dalë në një studio televizive për të treguar të vërtetën e saj.

E ftuar në programin “Të Paekspozuarit” në televizionin “MCN”, Hajdari tha se nuk e kupton si është përdorur emri i saj për të qarkulluar miliona euro që ajo nuk i ka parë kurrë me sy dhe se nuk e ka idenë kush është Klodian Zoto. Ajo ka shkuar edhe në SPAK për të mësuar se çfarë ka ndodhur.

“Shkova në SPAK dhe u thashë për çfarë akuzohem. Ai më tha: rri moj nënë se ti nuk ke lidhje me këto gjëra. Ik rri e qetë. Dola jashtë dhe thashë që drejtësinë do ta kërkoj. Dua të di kush mi ka bërë këto falsifikime. Unë jetoj me fukarallëkun tim, nuk dua të dal kështu të më shohë gjithë bota. Këtë Klodian Zoton nuk e njoh as nuk dua ta njoh, se më ka vënë në shpinë gjithë këtë ngarkesë. Unë jam hallexhie, nuk jam bose. Nuk i marrë vesh këto gjëra. Nuk di as ta them fjalën (inceneratorët). Ku qenka ky biznes në Fushë-Kuqe i paskam unë. Më kanë bërë miliardere pa pasur lekë në dorë.”- tha Hajdari.

Zonja e moshuar tregon se ajo është madje pa banesë dhe ka bërë dokumentet për të kërkuar strehim nga bashkia.

“Unë jam hallexhie, nuk jam bose.  Unë dua drejtësi. Jam pa shtëpi, jam invalide. Kam bërë dokumentet për shtëpi në Bashki.”- tregon ajo.

Hajdari shtoi se është vënë në një një situatë shumë të vështirë, ndërsa kërkoi edhe një ballafaqim me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje.

“Të gjithë luftojnë për veten, nuk kanë luftuar për popullin. Mua nuk ma ka zgjidhur hallin asnjë. Dua që Edi Rama të ballafaqohet me mua, kush më ka bërë pis. Unë jam e pafajshme. Nuk dua asnjë njeri. Nuk votoj më. Më dogjën votimet. Përveçse aty ku e kanë marrë tjetër kartën time.”- tha zonja.