Presidenti Ilir Meta, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Durrës, ku një i ri humbi jetën në det pasi po përpiqej të shpëtonte dy fëmijë.
Meta u shpreh ngushëllimet familjarëve për ndarjen nga jeta të Anri Kashikut, të cilin e konsideron një hero.
“ANRI KASHIKU, HEROI YNË!
Mirënjohje dhe respektin më të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm që me sakrificën e tij sublime shpëtoi sot dy jetë për t’u përjetësuar në memorien tonë si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për jetën dhe vlerave më të larta humane.
Ngushëllimet më të ndjera familjes!”- shkruan Meta.
18-vjeçari është mbytur pasditen e sotme në det në zonën e Sektor Rinia në Durrës, pasi u fut në ujë për të shpëtuar dy fëmijë të mitur.
Por fatkeqësisht i riu nuk ka mundur të dalë vetë në breg, ndërsa ka shpëtuar dy fëmijët të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.