Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur shkarkimin e Prokurorit Ludovik Dodaj me arsyetimin se kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, sa i përket pagesave të kësteve për një apartament 108 metra në zonën e plazhit në Durrës.
Dodaj u zgjodh në në tetor 2021 si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë pasi ishte konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor të vitit 2020. Vendimi i konfirmimit u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.35/2020, datë 11.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 255, datë 08.06.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ludovik Dodaj.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 255, datë 08.06.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Ludovik Dodaj.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 14.07.2022”-thuhet në vendimin e KPA.