Vendosni fjalën kyçe....

Liderët e Turqisë, Iranit e Rusisë takime në Kazakistan, diskutime për luftën në Ukrainë


Presidenti rus Putin do vizitojë Teheranin më 19 korrik për bisedime me homologët e tij iranianë dhe turq, tha zëdhënësi i Kremlinit Peskov gjatë një konference për shtyp.

Putin do marrë pjesë në një takim trepalësh me presidentin iranian Raisi dhe presidentin turk Erdogan nën të ashtuquajturin ‘procesi i paqes në Astana’. Formati u nis në fillim të vitit 2017 me synimin për t’i dhënë fund konfliktit 11-vjeçar në Siri.

“Përveç takimit trepalësh, do të ketë edhe takime dypalëshe.” – tha Peskov.

Putin dhe Erdogan zhvilluan një bisedë telefonike të hënën, gjatë së cilës diskutuan bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, përdorimin e monedhave kombëtare në shkëmbimet dhe furnizimet ruse me energji.

Të dy liderët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi gjendjen rreth Ukrainës, ‘përfshirë në kontekstin e përpjekjeve të bashkërendimit për të garantuar sigurinë e lundrimit në Detin e Zi dhe eksportet e drithërave në tregjet botërore’, thuhet në leximin e bisedës së publikuar në faqen e internetit të Kremlinit.

Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të presidentit turk, ndërkohë, Erdogan i tha kolegut të tij rus se ‘ishte koha që Kombet e Bashkuara të ndërmarrin veprime për planin në lidhje me formimin e korridoreve të sigurta përmes Detit të Zi për eksportin e grurit’.