Vendosni fjalën kyçe....

Meta pas raportit të Eurostat për korrupsionin: Asnjë surprizë, vetëm lufta e hapur ndaj korrupsionit shmang falimentimin e vendit


Presidenti Meta e ka quajtur të papranueshme qenien e Shqipërisë si një nga vendet më të korruptuara në rajon e Europë.

Në një shënim në Facebook, kreu i shtetit shkruan se në vend ka mungesë llogaridhënieje në çdo nivel, qëndror apo vendor, ka abuzime me fondet publike nëpërmjet inceneratorëve, koncesioneve e PPP-ve si dhe ka një drejtësi nën kontrollin e pushtetit.

Meta shkruan se vetëm lufta e hapur dhe pa kompromis ndaj korrupsionit parandalon falimentimin e vendit.

“Një tjetër rekord i papranueshëm! Shqipëria rezulton vendi më i korruptuar në rajon dhe në Europë, duke lënë pas, sipas EUROSTAT, vetëm Rusinë. Asnjë surprizë! Mungesa e llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe qendror, abuzimet me fondet publike nëpërmjet inceneratorëve, koncensioneve dhe PPP-ve, si dhe një drejtësi nën kontrollin e pushtetit, natyrshëm që do të sillte këto rezultate. Vetëm lufta e hapur dhe pa kompromis kundër korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë dhe rikthen shpresën tek qytetarët, që në masë po detyrohen të braktisin Atdheun. Çlirimi i Shqipërisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit është sot interesi dhe prioriteti ynë kombëtar!” – shkruan Meta.