Vendosni fjalën kyçe....

Pranga dy të rinjve në Tiranë, akuzohen për shitje droge


Dy persona janë arrestuar në Tiranë pasi akuzohen për shitje lëndësh narkotike, ndërsa një tjetër është proceduar penalisht.

Në pranga ka rënë 22-vjeçari me iniciale D.S. pasi gjatë kontrollit në trup në rrugën ‘Prokop Mima’ i është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë.

Po kështu në pranga ka rënë edhe 22-vjeçari me iniciale A.N. i cili akuzohet gjithashtu për shitje lëndësh narkotike.

Njoftimi

“Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta. Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, vihet në pranga 1 shtetas. Goditet një rast i përshtatjes së lokaleve për përdorim droge. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht pronari i lokalit dhe 1 shtetas tjetër.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kanë goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta, në doza. Në rrugën “Prokop Mima”, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin D. S., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua, një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit kokainë.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi D. S., pasi siguronte lëndën narkotike të llojit kokainë, e ndante atë më pas dhe e shiste në doza, në rrugën “Prokop Mima”. Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: S. B., 23 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe R. Z., 40 vjeç, për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të shtetasit R. Z., të cilin ky shtetas e kishte përshtatur për përdorim droge, nga shërbimet e Policisë, shtetasit A. N. iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë, ndërsa shtetasit S. B. iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”