Një raketë përforcuese prototip SpaceX shpërtheu në flakë gjatë një testimi në tokë në Boca Chica, Teksas, sipas një videoje të kapur dhe postuar nga NASASpaceFlight.com.
“Në fakt nuk shkoi mirë. Ekipi po vlerëson dëmet.” – tha CEO i SpaceX, Elon Musk, duke komentuar incidentin.
Një top zjarri që përfshiu përforcuesin me sa duket nuk shkaktoi lëndime apo vdekje. Për më tepër, pavarësisht një shpërthimi në dukje të madh, flakës dhe tymit, raketa mbeti në vend.
Pajisja që mori flakë ishte prototipi Super Heavy Booster 7, që ishte projektuar për anijen kozmike Starship të brezit të ardhshëm SpaceX, një raketë gati 121 metrash që kompania synon të përdorë për të transportuar ngarkesa dhe njerëz përtej Tokës, në hapësirën e thellë, duke përfshirë Marsin.
Sipas Musk, shpërthimi ishte ‘specifik për testin e fillimit të rrotullimit të motorit’.
Në shkurt, CEO i SpaceX tha se ishte ‘shumë i sigurt’ se Starship do hidhej në orbitë këtë vit, pavarësisht nga të gjitha sfidat rregullatore dhe teknike.
Anija kozmike është ende në fazën e saj eksperimentale, me uljen e parë të prototipit që ndodhi në maj 2021 pas një sërë testesh të dështuara.