Vendosni fjalën kyçe....

Rama me Varhelyi-n në bypass-in e Vlorës: Për integrimin do flasë komisioneri, Shqipëria s’ka çfarë të bëjë më


Komisioneri europian për zgjerimin, Oliver Varhelyi ka vizituar sot Shqipërinë. Së bashku me kryeministrin Edi Rama ndodhet në jug, ku kanë inspektuar bypass-in e Vlorë, një projekt i ndërtuar me ndihmë financiare të Bashkimit Europian dhe që u hap për lëvizjen normale të mjeteve më 7 korrik.

Në një konferencë të përbashkët, Rama tha se Varhelyi do të flasë për procesin e integrimit të Shqipërisë, pasi sipas tij vendi ynë nuk ka më çfarë të thotë dhe të bëjë.

Rama u shpreh se qeveria do vazhdojë të bëjë çdo gjë njësoj, sikur negociatat të ishin hapur.

“Sot u bë e mundur që një mik i çmuar, përveçse Komisioneri Europian për Zgjerimin, të vinte këtu, në pamundësi për të qenë me ne në ditën e çeljes së Bypassit në 7 korrik, që lidhej me domosdoshmërinë për të çliruar fluksin e makinave në fundjavë. Sot është një ditë shumë e bukur këtu. Është gjithmonë kënaqësi të ngjitesh për të shijuar këtë panoramë të mrekullueshme të VLorës. Është një ditë ku jam i bindur se komisioneri do mund të na thotë diçka më shumë lidhur me atë që ne presim dhe që është fillimi formal i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Unë nuk dua të zgjatem me këtë pikë, gjërat i kemi thënë dhe stërthënë. Aktualisht parlamenti i Maqedonisë së Veriut është mbeldhur për të miratuar, pas një debati të politizuar dhe padrejtësisht, atë që quhet propozimi francez. Përsa i përket Shqipërisë, nuk ka për të bërë asgjë më shumë se sa të presë. Të shohim dritën jeshile të ndezur më në fund.

Patjetër që do përsërisim të njëjtën gjë, që pavarësisht aspektit formal të procesit, ne do vazhdojmë përditë njësoj sikur negociatat të ishin hapur që atëherë kur duhet të ishin hapur, me reforma dhe investimet. Me financimet e garantuara falë planit ekonomik të investimeve që u çua përpara nga komisioni i ri.

Patjetër edhe me punën e përbashkët me qeverinë holandeze për t’u siguruar që të kemi propozime konkrete në samitin e madh të Pragës në tetor, lidhur me si mundet që komuniteti i ri të përkthehet në hapa konkret, komplementar, hapa që nuk e ndryshojnë anëtarësimin në BE. Po ju presim me një super diell në gjirin e Vlorës, me bindjen se do e shijoni këtë kënaqësi. Ju kaloj fjalën me të gjithë mirënjohjen për gjithçka keni bërë tani, dhe çdo gjë që do bëni me kokëfortësi hungareze që ju karakterizon.”- u shpreh Rama.