Vendosni fjalën kyçe....

Shkullaku “masakron” Ulsi Manjën: Si mund të flasësh budallallëqe ndërsa janë zhdukur miliona euro?


Gazetari Armand Shkullaku ka komentuar reagimin e ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, të parin nga ai lidhur me aferën e inceneratorëve pas disa javësh denoncime dhe dëshmi të forta.

Ai shprehet i habitur se si ministri i drejtësisë mund të flasë “budallallëqe” kur miliona euro janë zhdukur.

“Ministri i Drejtësisë i një shteti serioz nuk do të duhej të flinte gjumë. Ngrihen dy Klodë dhe rrafshojnë buxhetin e shtetit. Zoti Manja nuk është i shqetësuar p.sh. pse duhet të bëhet reklamë në media një kompani që djeg plehrat. Mirë prokurorët nuk marrin vesh nga financat e bankat, po këtë reklamën e shohin ata? Mirë, nuk e kape transaksionin se je i trashë. Po këtë reklama në TV nuk të ngre pyetje? As Eskobari nuk bëri dot kaq lekë në aq pak kohë. Vetëm në Shqipëri ndodh që ministri i Drejtësisë të mos ketë pikën e cipës dhe të dalë e të flasë budallallëqe, në një kohë kur këtu kanë avulluar qindra miliona euro!”– deklaroi sot Shkullaku, ndërsa ishte i ftuar në programin “Të Paekspozuarit në “MCN TV”.

Ky koment vjen pas reagimit të parë zyrtar të ministrit Ulsi Manja për inceneratorët, i cili në një postim në rrjetet sociale, nuk u mor me vjedhjen por me një përgjigje politike për presidentin Ilir Meta.

 “Ulëritëse është që Ilir Meta vazhdon ndot dynjanë, ndërkohë që emrat e të vdekurve me të cilët ai luan për të ulëritur, janë nxjerrë nga dosjet e çuara në prokurori prej vitesh nga hetimi tatimor! Po diçka tjetër ia prish gjumin Ilir Metës, dhe nuk ka faj i shkreti…”– shkruante Manja në Facebook.

Ky koment i parë i ministrit të drejtësisë për çështjen e inceneratorëve, pas disa javësh denoncimesh të forta, erdhi pasi kreu i shtetit kritikoi institucionet për qëndrimin në raport me këtë aferë duke ngritur pikëpyetje mbi sistemin bankar që pranon firma nga njerëz që nuk jetojnë. Meta iu referua rastit të një zonje të moshuar që ka ndërruar jetë 5 vite më parë, emri i të cilës ishte përdorur në skemën e inceneratorëve, ku transaksione prej 5 deri në 6 milionë euro ishin kryer në emër të saj./Hashtag.al