Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat ndaj Ukrainës për kontrabandë armësh, Brukseli: Propagandë, i besojmë Kievit që po udhëheq luftën kundër Rusisë


Një zëdhënës i lartë i çështjeve të jashtme të BE-së duket se ka lënë mënjanë shqetësimet e shteteve anëtare se armët e furnizuara në Ukrainë po shiteshin në tregun e zi.

Në një intervistë të botuar të enjten nga një uebsajt ukrainas lajmesh, Peter Stano tha se BE-ja nuk kishte ‘asnjë arsye të mos i besonte’ Kievit për këtë çështje.

Gazeta e lajmeve, Ukrinform, i kërkoi Stanos komente pasi ‘janë shfaqur supozime spekulative’ në mediat perëndimore ‘mbi rrezikun e kontrabandimit të armëve të furnizuara në Ukrainë nga partnerët perëndimorë’.

Por Financial Times raportoi të martën se vendet anëtare të BE ishin të shqetësuara për vendndodhjen e armëve. Gazeta britanike tha se vendet perëndimore duan që Ukraina të ketë një sistem më të fuqishëm për gjurmimin e armëve që merr për të luftuar Rusinë.

“Të gjitha këto armë zbarkojnë në Poloninë jugore, dërgohen në kufi dhe më pas ndahen në automjete për t’i kaluar në Ukrainë, kamionë, furgonë, ndonjëherë edhe makina private.” – tha një zyrtar perëndimor për Financial Times.

“Dhe që nga ai çast ne nuk kemi asnjë të dhënë për vendndodhjen e tyre dhe nuk e kemi idenë se ku shkojnë, ku përdoren apo edhe nëse qëndrojnë në vend.”

Stano i tha Ukrinform se ndihma ushtarake e BE-së ‘u nënshtrohet kontrolleve dhe masave mbrojtëse të rrepta, përfshirë ato pasi të jetë dorëzuar’ dhe shprehu sigurinë se Kievi po i trajtonte siç duhet armët që merr.

“Ne nuk kemi asnjë arsye për të mos i besuar qeverisë ukrainase e cila po udhëheq një luftë për të mbrojtur vendin dhe popullin ukrainas kundër një agresori brutal.” – u citua të ketë thënë ai.

Paralajmërimet se armët e dërguara në Ukrainë mund të përfundojnë në tregun e zi erdhën nga organizata si Interpol dhe Europol. Zyrtarët e policisë në disa vende si Suedia folën gjithashtu për rrezikun që paraqet trafikimi i armëve nga Ukraina.

Sipas një hetimi të RT-së, armët e furnizuara nga Perëndimi si raketa antitank NLAW ose ‘droni kamikaz’ Switchblade ofrohen lehtësisht nga kontrabandistët e armëve në Darknet.

Kur u nxit nga media, Stano dukej se i hodhi poshtë shqetësimet e kontrabandës si asgjë më shumë se dezinformim rus.

“Në thelb çdo gjë që del nga Kremlini dhe nga Ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, është një propagandë masive dhe shumë shpesh thjesht gënjeshtra.” – pohoi ai.

BE-ja ka ofruar deri më tani 2 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën përmes Fondit Evropian të Paqes.