Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Amerikane në Kiev ngre alarmin e sigurisë: Largohuni menjëherë nga Ukraina


Ambasada e SHBA në Kiev u ka kërkuar amerikanëve që të mos vizitojnë Ukrainën dhe ata që janë tashmë atje “të largohen menjëherë” për shkak të situatës “shumë të paqëndrueshme” të sigurisë.

Në një alarm sigurie të ngritur të enjten, në faqen e internetit të ambasadës qytetarët amerikanë që janë ende në Ukrainë janë këshilluar të mos marrin pjesë në tubime të mëdha publike.

“Situata e sigurisë në të gjithë Ukrainën vazhdon të jetë e dhunshme dhe e paparashikueshme”, thotë ambasada duke pretenduar se “mbledhjet e mëdha dhe ngjarjet e organizuara” mund të “shërbejnë si objektiva ushtarake ruse” kudo në vend.

Alarmi paralajmëroi se qytetarët amerikanë në Ukrainë nuk duhet “të mbështeten në ndihmën e qeverisë amerikane”, por në vend të kësaj të veprojnë sipas “planit të tyre të emergjencës”, i cili duhet të zhvillohet paraprakisht.

Sipas RT-së, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova komentoi alarmin e ngritur nga ambasada amerikane, duke thënë se diplomatët nuk përmendën “se Uashingtoni po furnizon regjimin e Kievit me armë amerikane, gjë që po provokon vazhdimin e konfliktit dhe vdekjen e njerëzve”.

Paralajmërimi i SHBA-së u publikua disa orë pasi një shpërthim vdekjeprurës goditi qytetin e Vinnitsa në Ukrainën qendrore të enjten. Sipas Kievit, sulmi u mori jetën 22 civilëve, duke përfshirë tre fëmijë, dhe plagosi dhjetëra të tjerë.