Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës braktisën konferencën sapo nisi fjalën kryeministri Rama (FOTOT)


Sapo kryeministri Edi Rama mori fjalën në konferencën që qeveria zhvilloi për Amnistinë Fiskale, ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe homologu i saj gjerman, Peter Zingraf u larguan nga konferenca.

Ambasadorët Barsacq dhe Zingraf ishin të ulur në rreshtin e parë të të ftuarve në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale.

Ata qëndruan për mbi 50 minuta dhe i dëgjuan të gjithë me radhë të flasin, ministren e Financave, Delina Ibrahimi, zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe një ekspert nga Britania e Madhe.

Por kur erdhi radha e Ramës për të folur, ata panë nga njëri-tjetri dhe njëkohësisht u ngritën në këmbë dhe e braktisën konferencën. Kamera më pas u drejtua tek fytyra e kryeministrit i cili dukej se nuk e priste këtë.

Më pas gjatë fjalës së tij, Rama ka nisur t’u drejtohet ndërkombëtarëve, duke u kërkuar që të mos e trajtojnë Shqipërinë si armike.

“Dua t’u them se respekti reciprok është A-ja e punës sime në funksion të drejtimit të qeverisë së Shqipërisë dhe me respekt mund të bëhet çdo kundërshti dhe të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vend me bisht ndërkohë që amnistia është bërë dhe vazhdon të bëhet në mënyrë të rregullt pa asnjë polemikë në të gjitha vendet që na japin mësime, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur. Kjo nuk është asgjëja që çmon respektin që gati, gati ka Shqipëria pa kushte ndaj partnerëve të saj.”- tha Rama.