SPAK ka ushtruar kontrolle në banesat e disa ish-anëtarëve të MEK në Shqipëri.
Sipas “Balkanweb”, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka firmosur nëntë urdhër-kontrolle ndaj ish-anëtarëve të MEK, të cilët dyshohen për spiunazh në shërbim të regjimit iranian.
Bëhet fjalë për disa persona të larguar nga qendra e MEK në vendin tonë të cilët janë nën hetim prej disa kohësh mbi akuzat e spiunazhit.
Kontrollet janë zhvilluar në zonën e “Freskut” dhe “5 Majit” në Tiranë, por deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar.
Kontrollet kanë nisur pas arrestimit të shtetasit iranian, Bijan Poolagrad, i cili është zbuluar se filmonte bazën e MEK, në Manzë.
Sipas gazetares Klodiana Lala, nga këqyrja e celularit dhe mjeteve elektronike të tij, janë zbuluar kontakte të tjera, që dyshohen gjithashtu për spiunazh. Iraniani Bijan Poolagrad akuzohet nga SPAK si pjesë e një celule terroristësh, e cila po planifikonte të kryente sulme ndaj funksionarëve të lartë të opozitës iraniane, të cilët strehohen në kampin Ashfraf 3 në Manëz të Durrësit.