Një 27-vjeçar nga Tirana ka tentuar të varë veten në qelinë e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Korçës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme.
Policia ka njoftuar se i riu Antuanel Mila ka tentuar të vetëvarej me batanije por është ndaluar nga ndërhyrja e një efektivi policie.
“Më datë 15.07.2022, rreth orës 13:05, në Komisariatin e Policisë Korçë, në dhomat e paraburgimit, ka tentuar të varë veten me batanije shtetasi A. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, i arrestuar një ditë më parë si i dyshuar për vëprën penale ‘Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’.
Në momentin e tentativës për të varur veten është konstatuar nga punonjësi i shërbimit, i cili ka ndërhyrë menjëherë.
Aktualisht shtetasi A. M., ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.”- bën me dije Policia.
Mila ishte ndaluar nga policia një ditë më parë në Pogradec, pasi po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm. Ai akuzohet se u kishte marrë emigrantëve një shpërblim prej 1100 euro secilit dhe u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.