Vendosni fjalën kyçe....

Kontradikta – A është bllof i Këlliçit pretendimi për lidhjen Veliaj-Dervishi?


Paraditen e sotme deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi doli në një konferencë për shtyp për të publikuar disa dokumente të tjera lidhur me aferën e inceneratorëve, nga ku akuzoi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se ishte i lidhur me Arben Dervishin.

“Ave Consulting është një emër që shumica prej jush nuk e ka dëgjuar kurrë. Bashkëpronar i saj është Arben Dervishaj, sipas informacioneve të shumta të Partisë Demokratike, me siguri një presta nome i lidhur me famëkeqin Erion Veliaj.”- ishin fjalët e Këlliçit.

Menjëherë pas këtij denoncimi të Këlliçit, gazeta proqeveritare “TemA” ka publikuar një detaj që vë në dyshim ato çfarë tha Këlliçi sot dhe pyet se pse ai nuk foli kurrë për Dervishin në ato muajt intensivë kur ishte pjesë e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve.

Gazeta kujton se në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve, pjesë e të cilit ishte edhe Këlliçi, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishi, nuk u thirr kurrë të dëshmonte.

Ndërkohë që opozita e cila pretendonte se po hetonte inceneratorët e injoroi Dervishin, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i kërkoi disa herë kryetares së komisionit Jorida Tabaku, që edhe ai të thirrej si gjithë të tjerët. Ndërsa shprehte hapur rezervat që kishte për të. Veliaj thoshte se Dervishi si supervizori i projektit duhej të ishte thirrur.

“Çdo punë publike ka një supervizor. Supervizori i kësaj pune publike quhet Arben Dervishi. Është ky i FSHF-së, që vjedh zgjedhjet në Gjirokastër. Shyqyr zgjedhjet u pezulluan. Unë nuk jam tekniku i lavatriçes, që të merrem me bullona e furrnalta. Unë jam kryetari i Bashkisë. Kam një detyrim që ta çoj mbeturinën deri te dera, të peshohet, ndërkohë që ai po merr pa fund para, por ju s’flisni. Pse s’flisni për Ben Dervishin e Armando Dukës? Sepse ky njeri është supervizori. Tani që gara për FSHF-në është pezulluar, ka kohë të përgjigjet edhe për këtë. Paguhet sa frëngu pulën, të japë llogari ku shkojnë lekët e supervizorit. Të vijë këtu si burrat e të mos shkojë koteceve, të vjedhë votat e FSHF.”- deklaronte Veliaj kur ishte thirrur të dëshmonte në mbledhjen e komisionit hetimor. Prandaj denoncimi i Këlliçit sot e nxjerr atë bllof dhe ngre shumë pikëpyetje mbi seriozitetin e hetimit të komisionit.