Vendosni fjalën kyçe....

Kritikat për amnistinë fiskale, Rama: Kjo është mungesë respekti për sovranitetin e vendit


Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur reagimeve nga ndërkombëtarët sa i përket propozimit të qeverisë për amnistinë fiskale.

 “Dua t’u them se respekti reciprok është A-ja e punës sime në funksion të drejtimit të qeverisë së Shqipërisë dhe me respekt mund të bëhet çdo kundërshti dhe të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vend me bisht ndërkohë që amnistia është bërë dhe vazhdon të bëhet në mënyrë të rregullt pa asnjë polemikë në të gjitha vendet që na japin mësime, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur. Kjo nuk është asgjëja që çmon respektin që gati, gati ka Shqipëria pa kushte ndaj partnerëve të saj.”- tha Rama.

Paketa e paraqitur nga qeveria për amnistinë fiskale është kritikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Komisioni Europian dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë, pasi sipas tyre do t’i hapte rrugë legalizimit të parave të pista me burim krimin dhe trafikun e drogave në një ekonomi të brishtë si e Shqipërisë.

Lidhur me kritikat e bëra nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Rama i cilësoi ato si një fletërrufe që tregon mungesë respekti për sovranitetin e vendit.

“Të çohen dhoma tregtie me flamurë te vendeve partnerë dhe të bëjnë fletërrufe për këtë iniciativë të Shqipërisë është mungesë respekti për Shqipërinë për të pasur ambicien e saj. Institucione financiare mund të kenë kundërshtitë e tyre legjitime. Institucione të luftës kundër krimit dhe pastrimit të parave mund të kenë kundërshti, por dhoma tregtie, hajde ma nxirrni një biznesmen në Shqipëri që të çohet dhe të thotë nuk duhet amnistia.

Ka risqe? Patjetër, por po bëjmë një ligj që e përmban kushtetuta, e dyta po bëjmë një ligj që krahasuar me amnistitë fiskale dhe penale të bëra në BE, është shumë më i shtrënguar.”- tha Rama.