Vendosni fjalën kyçe....

Kumbaro ndryshe nga Rama: Kemi fluks turistësh në Shqipëri, rritja e çmimeve në Greqi e Turqi mund të ketë ndikuar


Ministrja e Mjedisit Kumbaro pohoi mbrëmjen e sotme se pjesa më e madhe e bregdetit shqiptar është e rezervuar deri në muajin shtator.

Ajo e bëri deklaratën në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report TV ku theksoi se rritja e numrit të turistëve në vend mund të ketë ardhur për shkak të rritjes së çmimeve në Turqi e Greqi.

Deklarata e saj bie ndesh me atë të kryeministrit Rama i cili pak ditë më parë iu drejtua bizneseve në jug të vendit që të ulin çmimet për të shmangur largimin e klientëve.

“Nga operatorët turistik, e gjithë jehona është shumë e mirë. Në të gjithë vendet ku kam shëtitur, në kontaktet me bizneset e turizmit, më konfirmojnë trend pozitiv në rritje. Edhe shifrat e INSTAT tregojnë rritje deri në fund të muajit maj. Unë mendoj që ka rritje të çmimeve se Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga tregu global. Rritja e ofertës turistike qoftë përmes strukturave agroturistike apo numrit të bujtinave në bregdet bën që të ketë oferta dhe për xhepa të cilët nuk i përballojnë rritjen e çmimeve në hotele. Po të shohim rezervimet, Gjirokastra dhe Përmeti janë të rezervuara deri në fillim shtatori. Kavaja dhe Durrësi janë të rezervuara deri në fund të sezonit.  Rezervimet janë të ndryshme. Ka rritje të vizitorëve të huaj, 55% ndërsa 34% janë rezident në strukturat hoteliere. Rezervimet i bëjnë pushues vendas por edhe të huaj, por shumicën e përbëjnë këta të fundit. Ndër të tjera, rritja e turistëve në Shqipëri mund të vijë prej rritjes së çmimeve në Turqi dhe Greqi. Kemi turistë nga vende që konsiderohen tregje interesante si Holanda, Serbia, Gjermania, Franca e Italia. Flasin për një ankesë që ka rritje të dukshme të çmimeve në Turqi dhe Greqi. Këta na thonë partnerët tanë.” – tha ndër të tjera Kumbaro.