Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Ibrahimaj: Legalizojmë paratë informale të së shkuarës, për të parandaluar evazionin në të ardhmen


Ministra e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, gjatë një konsultimi publik në lidhje me amnistinë fiskale, tha se Shqipëria i ka të gjitha instrumentat që të ndërmarrë një nismë të tillë dhe kjo mos të shërbejë për pastrimin e parave të pista të krimit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj u shpreh se qëllimi i kësaj nisme është që të legalizojë paratë informale në të shkuarën dhe të parandalojë që të ndodhë evazioni në të ardhmen.

“Jemi në kushtet që ne kemi krijuar premisat për të pasur një amnisti të tillë për të lejuar të gjithë taksapaguesit dhe individët që të legalizojnë atë para informale që kanë patur në shkuarën dhe për të parandaluar që kjo të ndodhë në të ardhmen.

Janë të gjithë këto regjistra që do të ndërveprojnë me njëri tjetrin për të parandaluar evazionin. Jemi në kushtet që ne mund ta bëjmë këtë amnisti, projektligji në gjatësinë e zbatimit të tij, do të vijë me një fushatë komunikimi, ku të gjithë individëve do t’i bëhen me dije strukturat që do të gjurmojnë çdo aktivitet për evazion fiskal, apo mosdeklarimit të të ardhurave.

Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, që do të krijojë transparencë dhe do të krijojë kushtet për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, ashtu siç ne kemi bërë me një sërë paketash të rëndësishme në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”– tha Ibrahimaj.

Mes të tjerash, ministrja u shpreh se për këtë nismë do të krijohet një njësi speciale që do të ndërveprojë me institucionet shtetërore. Brenda 5 ditësh kjo njësi do të analizojë kërkesat nga subjektet dhe do të japë një vërtetim për pagesën e një tatimi të posaçëm.