Vendosni fjalën kyçe....

Momenti kur ekzekutohet djali i ish-presidentit të Hondurasit dhe tre miqtë e tij (VIDEO)


Të enjten, djali i ish-presidentit të Hondurasit dhe tre persona të tjerë u qëlluan për vdekje teksa dilnin nga një klub nate në qytetin Tegucigalpa.

Bëhet fjalë për djalin e ish-presidentit Porfirio Lobo, i cili ka drejtuar vendin në vitet 2010-2014.

Pasi mbërriti në vendin e krimit, ish-presidenti Lobo konfirmoi për gazetarët vdekjen e djalit të tij 19-vjeçar Said Lobo Bonilla.

Luis Zelaya, një i afërm 23-vjeçar i Romeo Vasquez-it, ish-shefit të Shtabit të Bashkuar të Forcave të Armatosura, mbeti i vdekur gjithashtu.

Siç kanë treguar pamjet nga kamerat e sigurisë, disa persona të armatosur, i nxorën të rinjtë nga automjetet dhe i vranë duke i qëlluar me armë në kokë.

Dy viktimat e tjera u identifikuan si Salomon Velasquez dhe Norlan Enrique Rodriguez.

Ish-presidenti ka treguar se djali tjetër i tij i ka shpëtuar këtij sulmi.

“Said ishte vetëm me shoferin e tij. Asgjë nuk i ndodhi djalit tim tjetër, Luisit, sepse ai po ngiste një makinë tjetër… Personat që kryen këtë vrasje nuk janë fillestarë, por njerëz të trajnuar.”– tha Lobo, siç raportohet nga gazeta El Pulso.

Vrasësit ishin të veshur me veshje nga Forca Kombëtare Kundër Bandave (FNAMP). Megjithatë, deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione të mëtejshme për atë që ka ndodhur.

Kujtojmë se Porfirio Lobo është baba edhe i një djali tjetër, i cili po vuan një dënim me burg në SHBA për trafik droge. Gruaja e ish-presidentit, Rosa Bonilla, është gjithashtu në burg në Tegucigalpa pasi u dënua për një çështje korrupsioni që u zbulua ndërsa ajo ishte ende zonja e parë.