Vendosni fjalën kyçe....

“Nga 624 stacione plazhi të regjistruara në Durrës paguanin taksa vetëm 4. Vija bregdetare i përket publikut, jo privatit”


Studiuesi Auron Tare deklaroi sot se Shqipëria e ka humbur mundësinë për të bërë turizëm elitar.

I ftuar në emisionin ‘Vetting’ në SCAN Tv, ai tha se nuk ka plazhe private duke komentuar atë që ndodh në Shqipëri.

Tare tha se vija bregdetare i përket publikut dhe çdo privati që i jepet në administrim për një periudhë të caktuar kohore një pjesë e plazhit duhet të sigurojë qasjen e publikut në të.

Ai tha se nga 624 stacione plazhi të regjistruara, paguanin taksa vetëm 4 duke sjellë humbje disa milionë euro për buxhetin e shtetit.

“Nuk ka plazh privat dhe mediat bëjnë gabim kur i referohen plazh privat. Vija bregdetare i përket publikut. Mund të jepet në përdorim për këtë sezon apo për sezone të tjera me ca kushte të caktuara dhe kushti i parë është qasja e publikut. Çdo qytetar ka të drejtë të lahet në plazh. Nga veriu deri në jug shteti shqiptar mblidhte rreth 700 milionë lekë të vjetra në vit, rreth 600 mijë dollarë. Nga ato që deklaroheshin duhet të mblidheshin rreth 15 milionë euro. Në plazhin e Durrësit kanë qenë të regjistruara 624 stacione plazhi, nga të cilat vetëm 4 paguanin taksat.” – theksoi Tare.